Telegrafi

Conte: Kane duhet të luajë edhe nëse mbetet me një këmbë

(Foto: Screenshot/YouTube/Tottenham Hotspur)

Antonio Conte ka thënë me shaka se do të ketë nevojë që Harry Kane të luajë edhe nëse ka vetëm një këmbë, pasi sulmuesi i Tottenham Hotspur pritet të luajë ndaj Burnleyt përkundë problemeve me lëndime.

Anglezi ka pësuar një goditje në fitoren e të shtunës (3-2) ndaj Manchester City, në të cilën realizoi dy gola.

Përkundër atij lëndimi, Kane pritet të luajë kundër Burnleyt të mërkurën, sepse Spursat nuk kanë tjetër sulmues që mund ta zërë vendin e tij.

(Foto: Instagram/harrykane)

“Ai ka marrë një goditje në shpi, por duhet të luajë! Nëse ka vetëm një këmbë, duhet të luaje. Harry e di mirë rëndësinë që ka në skuadër për personalitetin e tij, përvojën e tij, por ai është mirë”.

“Po bëj shaka, nuk e detyroj një lojtar të luajë nëse është i lënduar. Vetëm po jua them rëndësinë e një futbollisti. Ai është mirë, ai është i gatshëm”, ka deklaruar Conte në konferencën për shtyp.

Kane, i cili deshi të largohej nga Tottenhami në verën e kaluar, ka shënuar një ngritje të madhe në formë nën drejtimin e Antonio Contes duke shënuar 17 gola në 34 ndeshje. /Telegrafi/