Antonio Conte ka pranuar se gruaja e tij nuk ishte e kënaqur me vendimin që mori trajneri për të shkuar në Itali që ta shikonte Juventusin në derbin kundër Interit.
Chelsea zhvilloi tri ndeshje brenda shtatë ditësh dhe arriti rezultate të kënaqshme në duelet ndaj Liverpoolit (1-1) dhe Arsenalit (3-1), prandaj strategu italian vendosi të udhëtonte në Torino për ta shikuar ish-klubin e tij në derbin e Italisë.
47-vjeçari ka treguar se gruaja e tij, Elisabetta, kishte dashur që ai të qëndronte në shtëpi me vajzën e tyre, por ai vendosi që të mos e dëgjonte, njofton Telegrafi.
“Kur i thash gruas se po shkoja ta shikoja ndeshjen ndërmjet Juventusit dhe Interit, ajo nuk qe e kënaqur. Më tha: ‘Pse? Pse nuk po qëndron me ne, me vajzën dhe gruan tënde?”.
“Nganjëherë mundohem t’ia shpjegoj asaj se për mua është punë edhe kur i shikoj ndeshjet e skuadrave tjera, por nganjëherë nuk është lehtë t’ia shpjegoj gruas time vendimet që marr, kur kam një ditë të lirë dhe shkoj ta shikoj një ndeshje”.
“Për shembull, të dielën gjithë ditën i kam shikuar ndeshjet angleze të klubeve nga Mançesteri, pastaj ndeshjet italiane, por pasioni për futbollin është shumë i madh. Gruaja ime nuk ka ditur për futbollin para se të më njihte mua”.
“Gruaja ime dhe prindërit e saj asnjëherë nuk e kanë shikuar një ndeshje futbolli (para se të lidheshim bashkë), ndërsa të dielave kanë dalë për të ecur në këmbë dhe me biçikleta”, ka treguar Conte.
Njëherësh, ai ka mohuar thashethemet se kishte udhëtuar në Itali për të përcjellë nga afër disa lojtarë që planifikon t’i transferojë.
Këtë fundjave, lideri i Ligës Premier, Chelsea, është mysafir i Burnleyt. /Telegrafi/