Site icon Telegrafi

CNN: Rusia dërgon ushtarë të plagosur me paterica në frontin e luftës

Rusia po dërgon ushtarët e plagosur me paterica përsëri në front për të luftuar, ndërsa ata me lëndime të rënda po i ridërgon në role luftarake, teksa përballet me problemet në rritje të fuqisë ushtarake.

Në pamjet nga vijat e frontit, të publikuara nga operatorët ukrainas të dronëve dhe trupat ruse, shihen burra me lëndime të dukshme në këmbë – disa ende të fashuar – duke përdorur paterica në zonat e luftës. Në disa raste, ata janë në shënjestër të dronëve ukrainas ndërsa përpiqen të largohen duke përdorur ndihmat e ecjes, sipas videove dhe dëshmive të siguruara nga CNN.

“Rusët po i kthejnë të plagosurit në luftë”, tha një zyrtar perëndimor, duke iu referuar videove ku “ushtarë të shtyrë në radhë me paterica” po dërgohen në betejë, thuhet në raport.

Lexo po ashtu Kryetari i Kongresit amerikan, Johnson: Nuk kemi 'oreks' për ta financuar më shumë Ukrainën

Përdorimi i ushtarëve të plagosur është një shenjë që Moska po përpiqet të zgjidhë problemet e fuqisë njerëzore pa shpallur një mobilizim të gjerë, që do të ishte jopopullor në mesin e klasës së mesme urbane ruse, sipas një zyrtari që foli për CNN në kushte anonimiteti për shkak të ndjeshmërisë së çështjes.

Në një video të filmuar nga një dron në muajin janar, e publikuar nga brigada e 59-të ukrainase që operon pranë qytetit strategjik të luftës, Pokrovsk, shfaqet një ushtar rus duke përdorur nga një patericë në secilën dorë për të arritur një strehë. Ai lëviz ngadalë, pavarësisht se me shumë gjasa mund ta dëgjojë dronin ukrainas mbi vete dhe është i vetëdijshëm për rrezikun.

Pamje të tjera tregojnë zhvendosjen me forcë të të plagosurve drejt vijave të para të frontit, thuhet në raport. Një video tregon një burrë të plagosur – identiteti i të cilit mbahet i fshehtë nga CNN për sigurinë e tij – i cili po tërhiqej nga disa burra me uniformë përpara një spitali ushtarak në qytetin jugor rus Jejsk, në rajonin Krasnodar.

“Çfarë dreqin po bën me mua, pse? Dje pata një operacion, dreqi e marrtë!”, thotë ai. Duke u kthyer nga kamera, shton se “po i drejtohem të gjithë banorëve të Rusisë dhe dua t’u tregoj të gjithëve se çfarë po ndodh me një nga ushtarët tanë të denjë në Forcat e Armatosura të Federatës Ruse”, raporton ky medium.

CNN ka siguruar një numër të madh videosh që tregojnë se Rusia në të vërtetë po i dërgon ushtarët e plagosur përsëri në luftë.

Një zyrtar i shërbimit të inteligjencës mbrojtëse ukrainase tha se kanë vënë re një trend të shfaqjes së ushtarëve të plagosur rusë në “zonat aktive të luftës” gjatë gjashtë muajve të fundit. Ai e ka përshkruar përdorimin e të plagosurve si një përpjekje nga komandantët për të fshehur humbjet dhe paaftësinë e tyre për të sjellë dhe tërhequr trupa në zonat e luftës sipas nevojës.

Lexo po ashtu Kreu i inteligjencës ushtarake ukrainase beson se këtë vit do të ketë armëpushim

Disa mezi kanë shpëtuar nga ridërgimi në front. CNN ka biseduar me një ushtar rus, i cili u plagos gjatë luftimeve rreth Vovçanskut, mori trajtim të kufizuar dhe më pas një muaj leje. Kur dëgjoi se të plagosurit po ktheheshin në vijën e parë të frontit, ai u arratis nga Rusia, thuhet në raport. CNN ka parë dokumente që konfirmojnë dëshminë e tij, por ka mbajtur detajet të fshehura për sigurinë e tij.

CNN gjithashtu ka marrë dokumente të sekuestruara nga zyrtarët ukrainas, për të cilat ata thonë se janë gjetur në trupat e ushtarëve të vrarë rusë në afërsi të Pokrovskut.

Ndër dokumentet e gjetura është edhe një raport mjekësor që përshkruan dëmtime të rënda në kokë dhe trup të një ushtari rus, i cili ishte dërguar përsëri në luftë, thuhet në raport. /Telegrafi/

Exit mobile version