Telegrafi

Clark: Nuk është koha për largimin e KFOR-it, investoni në zhvillim ekonomik e jo në formimin e ushtrisë (Video)

Ish-komandanti Suprem i Forcave Aleate të NATO-s në Evropë, Wesley Clark po qëndron për vizitë në Kosovë.

Gjatë një konference për media organizuar nga RTI në Kosovë (A.U.K), gjenerali Clark u shpreh se prioritetet e Kosovës do të duhej të ishin zhvillimi ekonomik dhe krijimi i perspektivës për të rinjtë

Clark u shpreh se do të dëshironte ta shihte Kosovën si pjesë e Bashkimit Evropian.

Duke folur për çështjen e themelimit të Ushtrisë së Kosovës, Wesley Clark, theksoi se Qeveria e Kosovës duhet t’i shpenzoj burimet e saja për zhvillim ekonomik e jo për forcat ushtarake.

“Kemi ende KFOR-in këtu për të ofruar siguri, po të isha në Kosovë dhe të llogarisja në mbrojtjen e KFOR-it dhe NATO-s, unë më shumë do të kisha dëshirë që resurset e qeverisë të shpenzohen për zhvillim paqësor ekonomik sesa në forcë ushtarake. Unë besoj që rregulli bazë në ushtri është që duhet të kesh personel ushtarak për të siguruar vendin dhe asgjë më shumë”, u shpreh Clark, shkruan Telegrafi.

Gjenerali tutje shtoi se mënyra më e mirë që të sigurohet e ardhmja Kosovës është zhvillimi ekonomik.

Duke folur rreth qëndrimit të KFOR-it në Kosovë, gjenerali Clark theksoi se nuk është koha e duhur që trupat e KFOR-it të largohen.

“Mendoj që do të vijë koha për KFOR-in që të largohet. Por, mendimi im personal është se kjo nuk është koha e duhur që KFOR-i të largohet. Ajo që unë dua ta shoh është arritja e një marrëveshjeje midis Serbisë dhe Kosovës e cila do t’i normalizonte marrëdhëniet mes tyre. Le ta ketë Kosova ulësen e saj në Kombet e Bashkuara dhe eventualisht, bashkë me Serbinë, të dyja të bëhen anëtare të Bashkimit Evropian. Nuk ka arsye pse dy shtete nuk mund të jenë fqinjë të mirë”, tha gjenerali Clark. /Telegrafi/