Në një periudhë të kaluar me sfida dhe arritje të reja, këngëtarja Arta Kabashi, ka reflektuar mbi vitin që lamë pas dhe ka ndarë me ne eksperiencat e saj më të rëndësishme.
Si një nga artistet me zërin më të ëmbël, ajo ka folur për muzikën, por edhe për përvojën në reality shoun Big Brother VIP Albania.
Bukuroshja nga Peja zbuloi se si ka ndikuar kjo aventurë në karrierën e saj, si e menaxhon balansin mes jetës personale dhe asaj profesionale si dhe për frymëzimin më të madh që ka në krijimin e këngëve.
Në këtë intervistë, gjithashtu vjen me një pamje më të thellë të jetës artistike dhe aspiratave për të ardhmen.
Më poshtë ua sjellim këtë bisedë të ngrohtë dhe frymëzuese me Arta Kabashin, një emër që përfaqëson dashurinë dhe pasionin për muzikën.
Telegrafi: Meqë kaluam vitin 2025? Si ka përfunduar për ty? Cilat ishin momentet më të veçanta?
Arta Kabashi: Viti 2024 ka qenë një ndër vitet më të bukur që kam jetuar. Ka pasur shumë momente të bukura, udhëtime të bukura, njerëz të rinj që ka kontribuar që ta njoh veten unë më mirë.
Telegrafi: Vitin që shkoi e ke nisur me një eksperiencë në një format si Big Brother? Na përshkruaj në disa pika se si ishte për ty?
Arta Kabashi: Vitin e kaluar kam hyrë në Big Brother VIP Albania, ka qenë një ndër eksperiencat më sfiduese por në të njëjtën kohë edhe shumë e bukur. Më ka mësuar shumë, ishte argëtuese me gara të ndryshme me sfida vallëzimi që më pëlqen shumë, aty e kam parë që e kam memorien shumë të mirë edhe qëndrueshmëri nën presion.
Telegrafi: Të ka ndihmuar ai reality shou për aktivitetin tënd në muzikë? Cila është ajo shtysa që të ka dhënë?
Arta Kabashi: Aty kam kënduar gjatë gjithë kohës sepse e kam zakon, por fakti që një këngë e imja e realizuar brenda u pëlqye aq shumë më ka bërë të lumtur.
Telegrafi: Tani që ka kaluar thuajse një vit, ruan raporte me ish-konkurrentët? A je penduar për ndonjë gjë?
Arta Kabashi: Tani që ka kaluar një vit mbaj raporte me ata që dua unë. Nuk kam pendesa.
Telegrafi: Cili ka qenë projekti yt më i rëndësishëm muzikor në 2024? Çfarë e bën atë kaq të veçantë?
Arta Kabashi: Të gjithë këngët që i shkruaj janë të rëndësishme për mua sepse prezantojnë një përjetim të vërtetë në jetën time, por kënga ‘Falem’ pati fatin të ekspozohet në media gjigante dhe ishte një ndër krijimet e mia ku unë i thashë lamtumirë dikujt.
Telegrafi: Cilat janë ato sfidat nëse mund të themi që ke hasur gjatë viteve si artiste, ndoshta që ia vlen të ceken?
Arta Kabashi: Sfida kalojmë të gjithë që kemi një ëndërr, mirëpo më në fund perspektiva ime ka ndërruar, nuk i shoh më si sfida të gjitha eksperiencat i shoh si një ri-drejtim për në kahun e duhur.
Telegrafi: Si e menaxhon balansimin mes jetës personale dhe karrierës?
Arta Kabashi: Mendoj që e kam kuptuar që unë nuk i ndjeki ëndrrat as njerëzit as situatat po ato vijnë te unë në mënyrë më natyrale të mundshme prandaj edhe njerëzit që janë në jetën time e kanë të njëjtin ‘mindset’ dhe s’kemi problem (haha).
Telegrafi: Çfarë është ajo që të frymëzon më shumë në krijimin e këngëve, apo në muzikë në tërësi?
Arta Kabashi: Jeta, ndjenjat, njerëzimi fakti që jemi shumë fragjile si qenie, mërzia, dëshpërimi, lumturia, gëzimi, dashuria, shoqëria, bukuria ahhh ndjenjat që i kemi na bëjnë shumë të dobët po në të njëjtën kohë edhe shumë të fortë. Më pëlqen shumë të jem njeri.
Telegrafi: Planet e Artës për vitin 2025? Cilat janë aspiratat e tua artistike për të ardhmen?
Arta Kabashi: Planet e mia për 2025 janë Arta me funksionu prej vetëdijes së Zotit, me funksionu prej dashurisë.
Telegrafi: Çfarë mesazhi do t’i dërgoje fansave dhe të gjithë lexuesve të Telegrafit?
Arta Kabashi: Lexuesve të Telegrafit ju kisha thënë vetëm dashuri, shëndoshë, në asnjë mënyrë tjetër. Dujeni veten se veç qashtu mundesh me e dasht edhe tjetrin, e qashtu bota bëhet një vend më i bukur. /Telegrafi/