Site icon Telegrafi

Çka është Rotary dhe si u bë Kosova pjesë e kësaj organizate ndërkombëtare, flet rotariani Neshad Asllani

Neshad Asllani, themelues i Rotary Klub Peja, në emisionin “Përballje” në Telegrafi.com me kryeredaktorin Muhamet Hajrullahu, ka folur për pranimin e Kosovës në Rotary International, organizatë kjo e cila i mundësoi vendit tonë që për herë të parë të njihet ndërkombëtarisht.

Në këtë intervistë, Asllani theksoi se Rotary është organizatë shërbyese humanitare e cila bashkon liderët në biznes dhe profesion për të ofruar shërbime në komunitet, për të promovuar integritetin dhe për të avancuar vullnetin e mirë.

“Pra, ne rotarianët punojmë për t’i ngritur vlerat etike në një nivel më të lartë. Njerëzit mendojnë se rotary është vetëm për njerëzit e pasur, po kjo nuk është e vërtetë. Për shembull nëse një bukëpjekës në qytet është më i miri e ka vendin në rotary. Pra, ne e marrim të parin ose më të mirin në atë profesion, pa marrë parasysh se çfarë profesioni është”, deklaroi ai.

Lexo po ashtu Interesim i shtuar për anëtarësim në Klubin Rotary 

Duke vazhduar diskutimin për definicionet e asaj se çka është dhe çka përfaqëson Rotary, Asllani tha se nuk është as organizatë politike e as fetare.

“Neve na intereson kush e udhëheqë komunën dhe kush e qeverisë vendin, por nuk ndikohemi nga politika. Nuk jemi as organizatë religjioze e as organizatë bamirëse. Atëherë çka është Rotary? Ne jemi organizatë shërbyese, shërbejmë dhe instalojmë shërbime në komunitet”.

5 nëntor 2005 është data kur zyrtarisht Kosova u pranua këtë organizatë, tregon Asllani, duke shtuar se 45 ditë ishte afati kohor për hapjen e klubit të parë në një nga qytetet – që më pas u vendos të jetë Peja.

“Pranimi i parë i Kosovës ndërkombëtarisht ka ndodhur me Rotary. Ne kemi lobuar që Kosovën ta fusim në Rotary. E kam pasur nderin që të jem koordinator e kjo ka ndodhur më 5 nëntor 2005. Në këtë datë Kosova është pranuar në distriktin ku kanë qenë Maqedonia, Serbia, pjesa veriore e Greqisë, Bullgaria dhe Mali i Zi. Atëherë kemi pasur 45 ditë afat për ta hapur klubin e parë të cilin e kemi hapur në qytetin e Pejës. Kjo me një njohje ndërkombëtare dhe përkrahje nga miqtë amerikanë”.

Tash kur kanë kaluar më shumë se 16 vjet nga anëtarësimi i Kosovës në Rotary International, janë krijuar 30 klube rotary në qytete të ndryshme me mbi 800 anëtarë. Ndërsa, në nivel global Rotary International ka mbi 35 mijë klube.

 

Neshad Asllani gjatë intervistës në “Përballje”, Foto: Ridvan Slivova

 

Si dhe kush mund të bëhet anëtar i Klubit Rotary?

Neshad Asllani thotë se pjesë e organizatës mund të bëhet secili që përfaqëson diçka. Pra, nuk ka përkufizime sa i përket profesionit, moshës apo gjinisë.

Lexo po ashtu Rotary, organizata ndërkombëtare që inkurajon standarde të larta etike në të gjitha fushat

Anëtarësimi bëhet vetëm me ftesë. Një person mund të konsiderohet për anëtarësim nëse ftohet nga një anëtar i Klubit Rotary për të marrë pjesë në një ose më shumë takime të klubit për të mësuar më shumë për Rotary. Në këtë rast, Rotariani (sponsori) paraqet emrin e kandidatit në komitetin për anëtarësim të klubit.

 

Neshad Asllani gjatë intervistës në “Përballje”, Foto: Ridvan Slivova

Cilat janë projektet e fundit të Rotary në Kosovë?

Klubet rotariane në Kosovë kanë realizuar projekte të shumta, por disa më madhore që i identifikon në këtë rast Asllani janë: mbështetje financiare për familjet e policëve të vrarë në detyrë, shërimi i mbi 250 fëmijëve me probleme në zemër, pajisja e disa qendrave medicinale me teknologji të sofistikuar për Telemedicinë, pajisja e shumë shkollave në Kosovë me ujë të pijshëm, mbështetja me bursa shkollimi për shumë studentë të Kosovës, përkrahja e vajzave në edukim përmes programeve të shkollimit, mbështetja në forma të ndryshme e sistemit shëndetësor në Kosovë, e shumë e shumë projekte të rëndësishme për komunitetin.

Rikujtojmë se Rotary, më 11 qershor të këtij viti themelon distriktitin shqipfolës, në mesin e shumë distrikteve në botë. Me themelimin e distriktit, Shqipëria dhe Kosova do të përfaqësohen në nivelet më të larta të Rotary Ndërkombëtare, duke krijuar mundësitë e zhvillimit të komunitetit më tej. /Telegrafi/

 

Exit mobile version