Site icon Telegrafi

Çka është kanceri i gjirit, si formohet dhe cilët janë shkaktarët, shpjegon doktoresha Goga  

Kanceri i gjirit është lloji më i përhapur i kancerit tek gratë në Kosovë.

Doktoresha Vildana Goga, në podcastin “Shëndeti në rend të parë” në Telegrafi.com ka bërë të ditur se vitin e kaluar kanë qenë 420 raste të reja me kancer të gjirit, ndërkaq në 2024 deri në fund të viti pritet ky numër të jetë 470.

Onkologia Goga në këtë podcast tregon edhe çka është kanceri i gjirit dhe si formohet.

“Realisht kanceri i gjirit është rritje e pakontrolluar e qelizave në strukturën e gjirit. Gjiri i ka disa struktura, por tri janë themelore, si kanalet e qumështit, gjëndra e gjirit dhe struktura përforcuese e gjirit.

Kanceri i gjirit me dëmtimin e disa qelizave në këto struktura fillon rritet në mënyrë të pakontrolluar. Në vend që ajo qelizë e dëmtuar të përfundojë me vdekje ose riparim ajo ashtu e dëmtuar fillon të rritet brenda strukturës së gjirit derisa të formohet një nodus, nyje ose një tumefaksion që është i prekshëm prej gruas ose i detektueshëm nga mamografia ose ultrazëri i gjirit”, shpjegon doktoresha.

Goga ka folur edhe për shkaktarët e kancerit.

“Është plakja e popullatës në mbarë botën. Ne e dimë që kanceri i gjirit pikun e shfaqjes e ka në moshën 55 deri 69 vjeçare. Do të thotë me plakjen e popullatës rritet edhe incidenca për shfaqjen e kancerit të gjirit”, tha onkologia.

Tutje, ajo përmendi edhe faktorët e rrezikut që sipas saj janë ambientalë dhe hereditarë.

Ajo theksoi se në faktorët ambientalë diku hyjnë 80 për qind e rasteve që sëmuren prej kancerit të gjirit, ndërsa në faktorët hereditarë 15-20 për qind të rasteve.

Doktoresha ka folur edhe lidhur me shfaqjen e kancerit të gjirit tek meshkujt.

“Nuk dua ta anashkalojë edhe kancerin e gjirit te meshkujt, pasi para disa dite kam pasur një problematikë të tillë të shtruar që meshkujt nuk janë aq të informuar me mundësinë e shfaqjes së kancerit të gjirit. Dua ta ceki, 99 për qind është mundësia që një grua të preket nga kanceri i gjirit, ndërsa 1 për qind që një mashkull të preket prej kancerit të gjirit”, tha ajo. /Telegrafi/

Exit mobile version