Aktori Edon Bërveniku i njohur për publikun si ‘Citi’ i serialit komik “O Sa Mirë”, ka fituar tashmë simpatinë e shumë fansave.
Ai është mjaft i ndjekur në rrjetet sociale, në të cilat është herë pas here aktiv duke publikuar ndonjë imazh nga jeta e përditshme e tij.
Por, një fotografi e publikuar së fundmi në InstaStory, duket të jetë keqkuptuar nga fansat, dhe menjëherë është bërë e përfolur në media.
Bëhet fjalë për një fotografi, në të cilën aktori Bërveniku shfaq një grua myslimane të mbuluar me shami, teksa në mbishkrimin e saj shkruan: “Hajer Ishalla, këto shkallë si të dyshimta”.
Megjithatë, vetëm pak orë më vonë, i njëjti ka publikuar shkrim po në InstaStory, përmes së cilës ka shpjeguar se ka qenë një keqkuptim nga disa media, të cilat vetëm e kanë shfrytëzuar për të bërë lajm.
“Të dashur fansa, shokë, shoqe dhe familjarë, po e shoh se një postim që e kam bërë në Instagramin tim e keni keqkuptuar shumë dhe portalet ju kanë nxitur kinse kam përqeshur një grua të mbuluar. Kjo është shpifje sepse vet jam besimtar i fesë myslimane dhe një gjë e tillë as që më shkon në mendje ta ofendoj apo njollos fenë time. Por ja që portalet duhet t’i mbushin rubrikat e tyre me shpifje të kota, ju faleminderit për mirëkuptim” (sic.), ka shkruar aktori Bërveniku, i njohur si ‘Citi’. /Telegrafi/