Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti për pranimin e një draft-statuti të Bashkimit Evropian për Asociacionin.
Çitaku ka kërkuar nga Kurti transparencë për këtë draft, ndërsa i ka bërë thirrje që “të mos fshehët”.
Tutje, ajo është shprehur se shpreson që me këtë javë merr fund edhe “vallja e rrezikshme e popullizmit, të cilës paturpësisht i ka prirë Albin Kurti, duke përbaltur e lënduar secilin që ka menduar ndryshe nga Albini opozitar”.
“Për vitet e humbura dhe mundësitë e pashfrytëzuara nga helmi i vjellë nga populizmi dhe oportunizmi i Kurtit do flasim prapë. Tani Albin, pak transparencë për marrëveshjen dhe draftin e Asociacionit. Mos u fsheh”, ka shkruar nënkryetarja e PDK-së në Facebook.
Ndryshe, pesë vendet e QUINT-it kanë paraqitur të shtunën e javës së kaluar në Prishtinë e Beograd një plan të ri “modern”, përfshirë draftin e Asociacionit.
Për ta diskutuar këtë plan, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u takuan të enjten ndaras me liderët e Gjermanisë, Francë dhe Italisë.
Por sipas Qeverisë së Kosovës, Kurti ishte i gatshëm të nënshkruante Marrëveshjen bazë, duke theksuar që Samiti i Këshillit Evropian në Bruksel është ngjarja dhe vendi i duhur për ta bërë këtë.
Kurti ka shprehur gatishmëri për ta firmosur edhe draftin e ofruar nga BE-ja dhe SHBA-ja për zbatimin e nenit 7 në ndërlidhje të nenit 10 të Marrëveshjes Bazike, i cili flet për vetëmenaxhimin e serbëve të Kosovës. Sipas ekzekutivit, Vuçiqi ka refuzuar të nënshkruajë marrëveshje me Kosovën, dhe ka kërkuar që t’i pranohet një letër anësore me të cilën i zhbën tri parime të Marrëveshjes bazë, të Aneksit të zbatimit, si dhe të draftit të propozuar nga pesë emisarët më 21 tetor. /Telegrafi/