Site icon Telegrafi

Çitaku i reagon Kurtit: Nëse nuk mund ta mbështesni Thaçin, lëreni rehat

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë për media sonte ka komentuar situatën e sigurisë në veri të vendit, duke përmendur pengesat në operacionet ushtarake të Kosovës si rezultat i një zotimi të bërë nga ish-kryeministri Hashim Thaçi.

Ai theksoi se kjo marrëveshje e kaluar ka krijuar një disavantazh për institucionet e Kosovës në veri.

Pas kësaj deklarate, Vlora Çitaku, nënkryetare e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), reagoi ashpër ndaj Kurtit.

Në një postim në Facebook, ajo i kërkoi kryeministrit që të ndalojë sulmet ndaj Thaçit, duke kujtuar se ish-presidenti është aktualisht në një betejë tjetër të rëndësishme.

Lexo po ashtu Kurti jep tri arsye që sipas tij institucionet e sigurisë nuk mund ta parandalonin sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit

“I nderuari Kryeministër, armiqtë e Kosovës, ata të vërtetit janë jashtë Kosovës, e ata imagjinarët janë vetëm në mendjen tuaj. Hashim Thaçi, opozita, mediat, nuk qeverisin me Kosovën. E keni shumicën absolute, vendimet i merrni ju, si për polici, si për AKI, si për FSK-në”, shkroi Çitaku.

Ajo gjithashtu theksoi se PDK-ja mbështet çdo vendim që fuqizon Republikën, por i bëri thirrje Kurtit që të lërë Thaçin rehat dhe të përqendrohet në qeverisjen e vendit.

“E Hashim Thaçin, nëse nuk mund ta mbështesni, lejeni rehat. Sot ai është në betejë për historinë dhe të ardhmen tonë”, shkroi Çitaku.

Situata në veri mbetet e tensionuar, ndërsa debati politik për menaxhimin e saj shton përplasjet mes qeverisë dhe opozitës./Telegrafi/

Exit mobile version