Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku ka reaguar ndaj vizitës së kryeministrit Albin Kurti në Greqi.
Ajo në një postim në Facebook, ka ngritur disa dilema rreth qëndrimit të Kurtit në Greqi.
Çitaku ka shkruar se në konferenca në të cilat ka marrë pjesë Kurti, rëndom qëndrohet për dy ditë.
“Sinqerisht, a din dikush me më tregu qe sa ditë është Kryeministri në Greqi? Rëndom, në konferenca të tilla, Kryeministri shkon në hapje, e mbanë fjalimin/takimet dhe kthehet. Më së shumti 2 ditë”, ka shkruar Çitaku.
Nënkryetarja e PDK-së ka shkruar se në konferenca të tilla 1 javë nuk qëndron as kryeministri i Greqisë, derisa ka shtuar se Kosova po qeveriset nga Besnik Bislimi.
“As Kryeministri i Greqisë nuk rrin aty 1 javë, e lëre më të tjerët. Kosovën po e qeverisë Besnik Bislimi. Duket se kjo është Qeveria Bislimi I, jo Kurti II”, ka shkruar Çitaku.
Një javë më parë, saktësisht të martën e javës së kaluar, kryeministri Albin Kurti udhëtoi për në Greqi, për të marrë pjesë në Tryezën e Rrumbullakët me Qeverinë e Greqisë. Gjatë qëndrimit atje, ai zhvilloi takime me përfaqësues të ndryshëm.
Pas kësaj ngjarje, Kurti po merr pjesë edhe në simpoziumin e 24-të “Symi” në Athinë, që është mbledhje vjetore që bashkon politikanë, intelektualë, sipërmarrës e shkencëtarë për të diskutuar lidhur me çështjet urgjente të kohës.
Në margjinat e kësaj ngjarjeje, Kurti e takoi sot emisarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak. /Telegrafi/