Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka konfirmuar se të shtunën do të marrë pjesë në protestën e thirrur nga veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ajo ka thënë se do të dalë për të protestuar për të gjithë gratë dhe burrat që patën guximin të mposhtin frikën dhe vdekjen.
Çitaku tutje ka shkruar se do të dalë në protestë edhe për dajën e saj të vrarë me pushkë në dorë dhe për ushtarët e gjallë, por që sipas saj fatkeqësisht po nëpërkëmbën.
ʺNesër do të dal në protestë. Për gjithë ato gra e burra që patën guxim ta mundin frikën dhe vdekjen. Për dajën tim të vrarë me pushkë në dorë. Për ushtarët e gjallë, por fatkeqësisht të fyer e të nëpërkemburʺ, ka shkruar zyrtarja e lartë e PDK-së ne Facebook.
Protesta do të mbahet në orën 18:00. Ky veprim është paralajmëruar pasi në seancën e së enjtes në mbrëmje, Kuvendi i Kosovës ka miratuar Ligji për pagën minimale, ku nuk janë të përfshirë veteranët e luftës së UÇK-së. /Telegrafi/