Ish-ambasadorja e Kosovës në SHBA dhe zyrtarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar pas dhunës së ushtruar nga policia gjatë arrestimit të anëtarëve të Partisë Socialdemokrate, gjatë një aksioni të këtyre të fundit mbi veturat e qeveritare, pas vendimit të Qeverisë së Kosovës, për taksën prej 5 euro për “tiketat ngjitëse”me rastin e regjistrimit të automjeteve.
Çitaku, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se është indinjuar, zhgënjyer dhe tmerruar nga pamjet e dhumës së demonstruar mbi anëtarët e PSD-së.
“Përtej kauzës së protestuesve, me të cilën pajtohem plotësisht, ky lloj demonstrimi i dhunës ndaj tyre është tërësisht i papranueshëm”, ka shkruar Çitaku, përcjell Telegrafi.
“E di që shumica dërrmuese e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës janë gra dhe burra profesionistë të cilët i shërbejnë shtetit me nder”.
“Por, imazhet që pamë sot nuk do të doja t’i shihja askund në botë, e aq më pak në Kosovë. Ministri i Brendshëm, një protestues profesionist, duhet të skuqet nga këto pamje”, ka shkruar ajo.
Gjatë aktivitetit të sotëm, të organizuar nga PSD, Policia e Kosovës arrestoi 9 anëtarë të kësaj partie, të cilët pas intervistimit u liruan.
Për këtë arsye, KMDLNj kërkon nga Inspektorati Policor i Kosovës të bëjë hetime nëse Policia ka tejkaluar autorizimet zyrtare duke përdorur forcë të tepruar./Telegrafi/