Telegrafi

Çitaku: Deklarata e Macron konfirmon qëndrimin e BE-së se koha e fjalëve ka kaluar

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka theksuar se deklarata e presidentit të Francës, Emmanuel Macron rikonfirmon qëndrimin e Bashkimit Evropian, duke shtuar se është koha që të merren masa konkrete për zgjidhjen e konfliktit në rajon.

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka reaguar pas deklaratës së presidentit të Francës, Emmanuel Macron, i cili ka bërë thirrje për masa ndaj Kosovës dhe Serbisë nëse ato nuk ndjekin marrëveshjen e Brukselit dhe nuk sillen me përgjegjësi në zgjidhjen e konfliktit.

Çitaku ka theksuar rëndësinë e kësaj deklarate dhe ka thënë se Qeveria e Kosovës duhet ta trajtojë seriozisht atë.

Ajo e ka vlerësuar këtë deklaratë si një konfirmim të qëndrimit të Bashkimit Evropian për nevojën e veprimeve konkrete dhe përgjegjësive të marrë nga palët, në vend të fjalëve dhe këshillave.

Lexo po ashtu Macron paralajmëron masa për Kosovën dhe Serbinë nëse nuk “sillen me përgjegjësi”

“Deklarata e Presidentit Macron për rishikim të politikave të vizave për Kosovën dhe Serbinë, nëse palët nuk sillen me përgjegjësi, duhet të merret seriozisht nga Qeveria.  Kjo deklaratë rikonfirmon qëndrimin e BE-së, se koha e fjalëve dhe këshillave tashmë ka kaluar”, ka shkruar ajo në rrjetin social, Facebook.

Çitaku ka theksuar se rishikimi i politikave të vizave për qytetarët e Kosovës, në rast se nuk ndodhin hapat e duhur drejt zgjidhjes së konfliktit, do të ishte një ndërhyrje serioze.

Ajo ka shtuar se pas masave të BE-së kundër Kosovës dhe zhvillimeve politike të fundit në vend, rishikimi i liberalizimit të vizave do të ishte një goditje e rëndë për qytetarët e Kosovës.

“Pas masave konkrete të BE-së kundër Kosovës, pas zhvillimeve të fundit politike në vend, rishikimi i liberalizimit të vizave për qytetarët do tanë do të ishte tejet dëshpërues.  Prandaj, përtej kritikës dhe politikës ditore, kjo është një këshillë për Qeverinë. Askush nuk po iu kërkon të veproni kundër interesit të shtetit dhe qytetarëve tanë”, ka shkruar tutje ajo.

Çitaku ka mbyllur reagimin e saj duke bërë thirrje për Qeverinë që të marrë këtë paralajmërim të Presidentit Macron seriozisht dhe të vepronte me përgjegjësi për të mos e cenuar lirinë e lëvizjes për qytetarët e Kosovës, e cila ka qenë një pritje për shumë vjet.