Ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Vlora Çitaku, ka reaguar ndaj zërave të fundit se një Qeveri e re e dalë pas zgjedhjeve të 14 shkurtit do të mund të ndryshonte vendimin lidhur me vendosjen e ambasadës së Kosovës në Jerusalem.
Çitaku, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se njohja nga Izraeli është arritur në Shtëpinë e Bardhë.
“Marrëveshja përmes së cilës është arritur kjo njohje, është mbështetur fuqimisht edhe nga Administrata e Presidentit Biden. Kushdo që thotë ndryshe, gabon keq”, ka shkruar Çitaku, transmeton Telegrafi.
Postimi i plotë i ambasadores Çitaku:
“E para dhe më e rëndësishmja, çështjet e politikës së jashtme, posaçërisht ato në të cilat është i përfshirë aleati ynë kryesor, nuk do të duhej asnjëherë të shndërrohen në tema elektorale. Rreth tyre do të duhej të kishim konsensus.
Njohja nga Izraeli është arritur në Shtëpinë e Bardhë.
Marrëveshja përmes së cilës është arritur kjo njohje, është mbështetur fuqimisht edhe nga Administrata e Presidentit Biden. Kushdo që thotë ndryshe, gabon keq. Në fakt, formalizmi i marrëveshjes së njohjes mes Kosovës dhe Izraelit ka ndodhur me 1 shkurt 2021, me facilitimin dhe mbështetjen publike të Administratës së Presidentit Biden.
Vet Sekretari Amerikan i Shtetit, Z.Blinken, ka deklaruar publikisht që SHBA-të nuk do ta lëvizin Ambasadën e tyre nga Jerusalemi. Për më tepër, Kosova nuk ka zhvendosur Ambasadë nga Tel Aviv. Kosova po hapë për herë të parë Ambasadë në Izrael.
Secili që ka pak njohuri bazike në politikën e jashtme e di fare mirë që kryeqytetin e vendit pritës, nuk e përcaktojmë ne.
Nuk do të doja asnjëherë që Kosovën ta shoh në listën e shteteve që nuk u përmbahen zotimeve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, ka shkruar Çitaku. /Telegrafi/