Ylli i famshëm i humorit shqiptar, Rasim Thaçi – Cima, ishte një nga pjesëmarrësit në ndeshjen revyale ndërmjet ekipit të Veteranëve dhe ekipit të Estradës që u zhvillua në nder të ditëlindjes së legjendës së futbollit mbarëkombëtar, Fadil Vokrri, në stadiumin që e bart emrin e tij.
Ikona e humorit tonë i ka publikuar disa fotografi në profilin e tij në Instagram, ndërkohë që shihet me numrin legjendar 9.
“Në nderim të legjendës Fadil Vokrri, në stadiumin e Prishtinës u mbajt lojë miqësore ndërmjet veteranëve të Futbollit dhe Estradës”.
“Ishte nder dhe kënaqësi të takohemi së bashku me shumë ish-futbollistë e artistë të mirënjohur”, ka shkruar 71-vjeçari në postimin e tij.
Si pasojë e situatës me pandeminë, numri i pjesëmarrësve në këtë aktivitet ishte i kufizuar, teksa të pranishëm ishin edhe presidenti i FFK-së, Agim Ademi si dhe familjarë e miq të legjendës. Fitores në këtë ndeshje revyale iu gëzuan Veteranët e futbollit, të cilët fituan ndaj yjeve të Estradës me rezultat 6-2.
Në minutën e 9-të loja u ndërpre për të nderuar me duartrokitje të gjata veprën dhe karrierën e legjendës, teksa në ekran u shfaq edhe një video e përgatitur për këtë datë nga grupi i tifozëve “Dardanët”. /Telegrafi/