Gjatë orëve të fundit është raportuar për një sulm të ri në centralin bërthamor të Zaporizhzhia, pasi paralajmërimet nga zyrtarët janë rritur gjithnjë e më shumë, sidomos këtë javë.
Dhe kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA), Rafael Grossi, tha në fillim të kësaj jave se situata ishte “jashtë kontrollit” dhe ishte bërë “jashtëzakonisht serioze” dhe “e rrezikshme”, përcjell Telegrafi.
Ndërkohë presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky paralajmëroi gjithashtu se kishte “një situatë tjetër jashtëzakonisht të rrezikshme për të gjithë në Evropë”.
Por cili është rreziku real i një aksidenti bërthamor aty?
Disa ekspertë kanë theksuar se objektet moderne të energjisë bërthamore janë ndërtuar për t’i bërë ballë ngjarjeve të tilla si sulmet terroriste dhe fatkeqësitë natyrore.
Një studim nga Instituti Amerikan i Kërkimeve për Energjinë Elektrike (EPRI) arriti në përfundimin se strukturat e reaktorëve të SHBA-së ishin mjaftueshëm të forta për t’i bërë ballë ndikimit të një aeroplani të madh komercial.
Ata për shembull përdorën një Boeing 767-400 me karburant të plotë prej mbi 200 tonësh si bazë për kërkimin e tyre.
Depërtimi i betonit do të kishte nevojë për goditje të shumta nga predha artilerie me shpejtësi të lartë.
Ndryshe, ka pasur vetëm dy aksidente të mëdha bërthamore që nga avancimi i energjisë bërthamore komerciale, në Çernobil dhe Fukushima.
Por termocentrali bërthamor i Zaporizhzhia përdor teknologji më moderne sesa kishte bërë centrali i Çernobilit, gjithashtu në Ukrainë.
Vlen gjithashtu të theksohet kjo nga Shoqata Botërore Bërthamore: një reaktor i energjisë i tipit komercial nuk mund të shpërthejë si një bombë bërthamore pasi karburanti nuk pasurohet përtej rreth 5%. /Telegrafi/