Guvernatori i Bankës Qendrorë të Kosovës, Bedri Hamza, thotë se në bashkëpunim me institucionet e tjera të rendit dhe sigurisë kanë pamundësuar punën e disa institucioneve financiare jolegale që kanë funksionuar në Kosovë.
Policia e Kosovës, së bashku me Bankën Qendrore dhe Administratën Tatimore të Kosovës, në korrik të këtij viti kanë bërë kontroll në dy institucione financiare, pjesë e “Jugobankës” nga Serbia, që ushtronin aktivitetin e tyre në Graçanicë dhe në Mitrovicën e Veriut, pa licencë të vlefshme të lëshuar nga Banka Qendrore e Kosovës.
Guvernatori Hamza thotë për Tribuna Channel se institucioni që ai drejton ka shtrirë autoritetin e saj në të gjithë Kosovën, përfshirë pjesën veriore të vendit.
Por, sipas njohësit të rrethanave në fushën e ekonomisë, Ibrahim Rexhepi, Banka Qendrore e Kosovës nuk ka fuqi ekzekutive që në mënyrë të detyrueshme të shtrijë ndikimin apo pushtetin në tërë territorin e Kosovës. Rexhepi tha se këtë mund ta bëjë në bashkëpunim me institucionet e tjera të pushtetit.