Site icon Telegrafi

Cilët janë hapat e ardhshëm nëse Suedia dhe Finlanda kërkojnë të anëtarësohen në NATO?

Finlanda dhe Suedia së shpejti mund të kërkojnë zyrtarisht t’i bashkohen NATO-s pasi agresioni rus në Ukrainë shkaktoi një rritje të mbështetjes në këto dy vende për një bashkim me aleancën e sigurisë.

Në këtë drejtim, mediat kanë raportuar se Qeveria finlandeze po planifikon që propozimin për anëtarësim të këtij vendi në NATO ta bëjë që të dielën, gjë që është bërë e ditur nga ministri i Jashtëm i Finlandës, Pekka Haavisto, në një konferencë për media në Helsinki të enjten.

Si rezultat, propozimi më pas do të hidhej në një votim parlamentar me një seancë plenare të planifikuar për të hënën në mëngjes.

Lexo po ashtu Pse anëtarësimi i Finlandës në NATO është një lajm shumë i keq për Putinin?

Haavisto u tha gazetarëve se vendi i tij është në kontakt të ngushtë me Ministrinë e Jashtme suedeze pasi Suedia gjithashtu konsideron anëtarësimin në NATO.

Dhe sigurisht që një reagim ka ardhur nga Rusia që ka thënë se një lëvizje të tillë e konsideron si “një kërcënim” dhe se “zgjerimi i aleancës ushtarake nuk do të rrisë stabilitetin dhe sigurinë në Evropë apo në pjesën tjetër të botës”.

Duke iu përgjigjur njoftimit të fqinjit të saj për synimin e saj për të aplikuar për anëtarësim në NATO, Kremlini i përshkroi veprimet e Finlandës si për të ardhur keq dhe “padyshim edhe një arsye për një përgjigje simetrike”.

Por cili është procesi i anëtarësimit?

Sipas Euronews, përcjell Telegrafi, që nga krijimi i saj në vitin 1949, aleanca është bazuar në një “politikë të dyerve të hapura”, e cila është e përfshirë në nenin 10 të Traktatit të Uashingtonit, teksti themelues.

Megjithatë, vetëm shtetet evropiane lejohen të aplikojnë për anëtarësim.

Ndër kriteret, një kandidat duhet të ketë një sistem demokratik të konsoliduar, një ekonomi të tregut të hapur dhe aftësinë për të kontribuar në operacionet ushtarake të NATO-s.

Pasi një vend shpreh dëshirën e tij për t’u bashkuar me aleancën, shtetet anëtare vlerësojnë kërkesën dhe vendosin nëse duan të ftojnë aspirantin për të filluar bisedimet rreth pranimit.

Nëse ata “lëshojnë” ftesën, procesi fillon zyrtarisht dhe nisin bisedimet teknike në Bruksel ndërmjet ekipeve të specializuara, përcjell Telegrafi.

Lexo po ashtu Çfarë do të ndodhte nëse Rusia tenton të pushtojë Finlandën?

Këto bisedime ndahen në dy sesione: i pari fokusohet në çështjet politike, të mbrojtjes dhe ushtarake, ndërsa i dyti përqendrohet në burimet dhe buxhetin e përbashkët.

Kështu, kandidatëve mund t’u kërkohet t’i nënshtrohen disa reformave në mënyrë që të përmbushin standardet e ushtrisë dhe sigurisë së aleancës.

Në rastin konkret, Finlanda dhe Suedia kanë bashkëpunuar prej vitesh me NATO-n, ndaj këto diskutime teknike pritet të jenë “të qeta dhe të drejtpërdrejta”.

Pas përfundimit të suksesshëm të negociatave, NATO harton një protokoll pranimi, i cili shërben si një amandament në Traktatin e Uashingtonit dhe i lejon kandidatit të bëhet një palë ligjore në tekst.

Protokolli më pas shkon te shtetet anëtare: secili prej tyre duhet të votojë për ta ratifikuar atë.

Lexo po ashtu Erdogan mund të shfrytëzojë veton kundër hyrjes së Suedisë dhe Finlandës në NATO

Dhe kërkesa unanime do të thotë që një “JO” e vetme mund të bllokojë të gjithë procesin e pranimit, një kusht që i ngjan metodës shumë më të gjatë dhe shumë më komplekse të zgjerimit të BE-së.

Nëse protokolli fiton mbështetje unanime, sekretari i përgjithshëm i aleancës, një pozicion që ka aktualisht Jens Stoltenberg, fton zyrtarisht kandidatin për t’u bashkuar me NATO-n.

Pasi hyn në grupin e përzgjedhur, anëtari i ri përfiton menjëherë nga mbrojtja që jep neni 5, parimi i mbrojtjes kolektive: “Të gjithë për një, një për të gjithë”. /Telegrafi/

Exit mobile version