Pritet që Rusia dhe Ukraina të nisin ofensiva të reja në pranverë, ndërsa moti pritet të përmirësohet, duke e bërë “më të lehtë kryerjen e sulmeve”.
Dhe eksperti britanik Sean Bell thotë se ndërsa ne “nuk mund të futemi në mendjen e Vladimir Putin ose Volodymyr Zelensky”, analiza ushtarake tregon se çfarë ka të ngjarë të ndodhë më pas.
Synimi i përgjithshëm i Moskës “pothuajse me siguri” do të jetë të marrë të gjithë rajonin lindor të Donetskut dhe të mbajë Krimenë të sigurt, thotë Bell, shkruan Sky News, përcjell Telegrafi.
Putin ka të ngjarë të përforcojë kontrollin në rajonin fqinj Luhansk, ku ukrainasit kanë kërcënuar një autostradë kyçe të furnizimit.
Ai do të kërkojë gjithashtu të përforcojë kontrollin në rajonin kryesisht të pushtuar të Zaporizhzhia për të shmangur një përparim ukrainas.
Ndërsa sa i përket ofensivave të mëtejshme, Bell thotë se “fokusi kryesor” do të jetë ende qyteti lindor i Bakhmut.
Sipas tij, rusët mund të kërcënojnë gjithashtu kryeqytetin e Ukrainës, Kievin, me gjasë nga Bjellorusia.
Megjithatë, Bell thotë se kjo do të përfshinte një ngritje të forcave në Bjellorusi që mund të jetë e vështirë për t’u bërë.
Ndërkohë nga ana tjetër, presidenti ukrainas po planifikon “të dëbojë çdo rus nga toka ukrainase”.
Zelensky ka të ngjarë të përqendrohet rreth Donetskut, megjithëse është e paqartë nëse ukrainasit do të jenë në gjendje të qëndrojnë aty.
Për sa i përket sulmeve, forcat ukrainase do të shpresojnë të shkurtojnë linjat e furnizimit në verilindje të Kharkiv dhe të ndërpresin urën tokësore për në Krimenë e pushtuar në jug. /Telegrafi/