Një çiklist lakuriq, i cili u arrestua gjatë një gjiroje bamirësie me biçikletë, ka bërë thirrje për më shumë edukim rreth naturizmit.
Stuart Gilmour – i cili në rrjetet sociale e quan veten Çiklisti i zhveshur –për Sky News bëri të ditur se ai u arrestua në Colwyn Bay, North Wales, të dielën.
Uellsiani 44 vjeçar tha se kishte udhëtuar me biçikletë përgjatë bregut të Uellsit të Veriut nga Prestatyn, ku po vizitonte për një ditë plazhi naturistësh, për të mbledhur para për shoqatën bamirëse të shëndetit mendor Mind, përcjell Telegrafi.
Gilmour ishte gati të kthehej në drejtim të Prestatyn, rreth 15 milje larg, kur ai thotë se u ndalua nga policia. “Unë u thashë atyre se jam një naturist. Tregova se po e bëj për bamirësi dhe gjithashtu kam një leje për naturizmin”, deklaroi ai.
“Unë ua dhashë atë dhe ata e panë atë, por më pas thirrën në rreshterin e shërbimit dhe ai mori vendimin që ata të më arrestonin”, vazhdoi tutje ai. “Kështu që më arrestuan, më futën në veturë dhe shkuam në stacionin e policisë në St Asaph”, shtoi tutje Stuart.
Pavarësisht këtij problemi, Gilmour, i cili ka qenë një naturist për rreth 10 vjet, tha se policët u treguan “absolutisht të mirë”.
Ai shtoi: “Sapo e kuptuan se kush isha dhe shikuan përmes rrjeteve sociale dhe kishin kontrolluar pamjet e kamerave të sigurisë në rrugën përgjatë bregdetit, ata arritën të kuptojnë se unë nuk po bëja asgjë të paligjshme”. /Telegrafi/