Telegrafi

Cikli i nderimit të Messit për Maradonan – e gjitha dedikim për legjendën: Lamtumirë, Diego!

(Fotomontazh: Twitter/Newell's Old Boys/TyC Sports))

Lionel Messi e kompletoi ciklin e nderimit të legjendës argjentinase, Diego Maradona, në fundjavën që lamë pas.

Të dy emrat e mëdhenj të futbollit kanë lidhje me Newell’s Old Boys, ku Messi kishte luajtur si fëmijë, kurse Maradona e kishte përfaqësuar ekipin e parë.

Superylli i Barcelonës e shënoi golin e katërt të Blaugranëve në ndeshjen ndaj Osasunas që ishte një rikrijim i një goli të Diegos të realizuar për Newell’s në vitin 1993 (atë ndeshje Messi e kishte shikuar nga tribunat si gjashtëvjeçar).

Në sfidën e të dielës, 33-vjeçari deshi që ta rikrijonte edhe golin e famshëm ‘Dora e Zotit’, mirëpo nuk ia doli ta bënte atë që legjenda e kishte shkruar historinë në Kampionatin Botëror kundër Anglisë.

(Foto: Screenshot/Twitter/FCB World)

Që të dy kanë luajtur për Barcën, ndërsa Messi është krahasuar me Maradonan gjatë gjithë karrierës së tij.

(Foto: TyC Sports)

Dhe për ta nderuar ikonën që ndërroi jetë në javën e kaluar nga sulmi në zemër, Leo pasi e shënoi golin e hoqi fanellën e Barcelonës për ta ekspozuar fanellën e Newell’s Old Boys me numrin 10 legjendar që i referohej Maradonas.

(Foto: Twitter/Marca)

Ngritja e duarve drejt qiellit ishte po ashtu një imitim i legjendës së ndjerë. Kështu zgjodhi njëri prej futbollistëve më të mëdhenj në histori ta nderonte një tjetër që po ashtu e ka të shkruar emrin në librat e historisë së futbollit. /Telegrafi/