Site icon Telegrafi

Cikalleshi e thotë hapur, kërkon afrimin e Zymer Bytyqit te Shqipëria

Kosova mund të mbetet pa njërin nga sulmuesit anësorë më në formë.

Zymer Bytyqi ka vazhduar shkëlqimin në elitën e futbollit turk, derisa ka qenë vendimtar me asistimin e tij në fitoren e Konyaspor 1-0 ndaj Alanyaspor.

Sulmuesi nga Kosova ishte titullar për skuadrën e tij dhe asistoi në minutën e 13-të, në golin e shënuar nga Sokol Cikalleshi.

Për Bytyqin ky ishte asistimi i pestë këtë edicion në Superligën e Turqisë, që nga janari kur iu bashkua Konyasporit.

Bytyqi ishte pjesë e listës së gjerë të Përfaqësueses së Kosovës për ndeshjet e muajit mars, por në atë përfundimtare nuk u përfshij nga përzgjedhësi Bernard Challandes.

Por anësori fantastik mund të përfundojë tek Kombëtarja e Shqipërisë, pasi bashkëlojtari i tij te Konya, Sokol Cikalleshi po e kërkon një gjë të tillë.

Cikalleshi ka postuar në Instagram golin e fitores, derisa ka falënderuar Zymer Bytyqin për asistimin duke i thënë se e duan në Kombëtaren shqiptare.

“Goli i vetëm dhe i fitores në ndeshjen e sotme. Faleminderit Zymer Bytyqi, të duam në Kombëtaren e Shqipërisë”, ka shkruar Cikalleshi. /Telegrafi/

Exit mobile version