Këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, tha se Kosova dhe Serbia duhet të zbatojnë marrëveshjet që janë arritur në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian dhe është koha për të diskutuar për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Ai i bëri këto komente pas një bisede me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti në prag të takimit të planifikuar për të hënën me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiç në Bruskel. “Shtetet e Bashkuara mbështesin një takim konstruktiv që afirmon përkushtimin e të dyja palëve ndaj propozimit të Bashkimit Evropian”, shkroi zoti Chollet.
Kryeministri Kurti, shkroi se i ka konfirmuar zotit Chollet qëndrimin e tij për propozimin evropian “si bazë e mirë për bisedimet e mëtutjeshme drejt normalizimit të marrëdhënieve Kosovë – Serbi. Normalizimi i plotë kërkon njohje të ndërsjellë në qendër të marrëveshjes dhe respektim të të drejtave të pakicave në të dyja vendet”, shkroi ai.
Udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë tashmë e kanë pranuar në parim propozimin evropian i cili nuk parasheh njohjen e ndërsjellë ndërmjet të dyja vendeve por zotimin e palëve se nuk do të pengojnë njëra tjetrën në proceset integruese.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian thanë se presin që ata të pranojnë edhe zyrtarisht e publikisht propozimin në takimin e së hënës.
Zyrtarë të Bashkimit Evropian thanë se propozimi nuk do të negociohet dhe të hënën palët do të diskutojnë për zbatimin e planit i cili mbështetet nga të gjitha vendet anëtare të bllokut, përfshirë edhe ato që nuk e njohin Kosovën.
Një zyrtar i lartë evropian tha se pranimi i propozimit nënkupton edhe pranimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, që është çështja më e diskutueshme në marrëveshjet e deritashme. Ai tha se propozimi paraqet po ashtu “njohje de facto” të Kosovës nga Serbia.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha të shtunën gjatë mbledhjes së Këshillit të përgjithshëm të partisë së tij, lëvizjes Vetëvendosje, se Kosova është treguar e përkushtuar në procesin e bisedimeve.
“Dialogu në Bruksel është dialog për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës e Serbisë, është dialog për statusin e marrëdhënieve, statusi aktual i marrëdhënieve nuk është normal e status normal është ai i fqinjësisë së mirë. Pra njohje reciproke si thelb dhe reciprociteti si princip”, tha kryeministri Kurti.
Por kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi përmes rrjeteve sociale kritikoi qasjen e qeverisë ndaj dialogut dhe se sipas tij 27 shkurti do të shënojë fillimin e një faze të re të procesit të dialogut, ku njohja e ndërsjellë mes Kosovës e Serbisë nuk do të jetë më fare temë diskutimi.
“Pavarësisht nga takimi i së hënës, qeveria, tashmë publikisht, e ka pranuar planin e propozuar nga Bashkimi Evropian. Mirëpo, nga ajo që është parë deri tash, plani në vetvete nuk përmban pothuajse asnjë përfitim konkret për Kosovën. Aty nuk flitet për njohjen nga pesë vendet mos-njohëse të BE, nuk flitet për hapjen e rrugës drejt anëtarësimit në NATO, as për marrjen e statusit kandidat për anëtarësim në BE, ndërsa njohja e ndërsjellë është jashtë çdo diskutimi”, shkroi Krasniqi duke nënvizuar se takimi i së hënës është takim për Asociacionin e jo për njohje.
Një pjesë e opozitës në Serbi ndërkaq pohon se propozimi nënkupton njohje të Kosovës duke e akuzuar presidentin serb Aleksandar Vuçiç për dështim në proces, i cili ndërkaq ka theksuar se mosnjohja e Kosovës dhe mospajtimi me anëtarësimin e saj në Kombet e Bashkuara janë çështje të padiskutueshme për Beogradin.
Diplomatët perëndimorë ua kanë bërë me dije të dyja palëve se refuzimi i propozimit nënkupton përballje me sanksione./VOA/