Site icon Telegrafi

Chelsea thyen rekordin për një 17-vjeçar, ai do të jetë lojtari më i shtrenjtë në historinë e futbollit brazilian

Chelsea ka shpenzuar shuma të mëdha parash për transferime vitet e fundit dhe lëvizja e fundit tregon se nuk ka ndërmend të ndalet me kaq.

Sipas gazetarit dhe ekspertit të transferimeve, Fabrizio Romano, klubi londinez ka dërguar një ofertë prej 65 milionë eurosh për Estevao Ëillian, 17-vjeçarin brazilian të Palmeiras.

Palmeiras më parë ka refuzuar ofertën e Chelseat prej 57 milionë eurosh (32 fikse + 25 bonuse) dhe nëse e pranojnë atë, braziliani i ri do të bëhet transferimi më i madh në largim i një klubi të Amerikës së Jugut.

Rekordi aktual është Endrick, bashkëlojtari i Estevaos nga Palmeiras, transferimi i të cilit te Reali do të bëhet këtë verë dhe vlera e tij me bonuse është 60 milionë euro.

 

E quajnë Messinho

Estevao arriti një marrëveshje verbale me Chelsean dy javë më parë, dhe tani pritet përgjigja e Palmeiras për ofertën e fundit, sipas Romano.

Lojtari i gjithanshëm prej vitesh ka statusin e një prej talenteve më të mëdhenj të futbollit botëror, gjë që u njoh edhe nga Nike, me të cilin Estevao nënshkroi kontratë kur ishte 10 vjeç, duke u bërë kështu braziliani më i ri me kontratë në histori të kësaj kompanie.

Lexo po ashtu Trajneri i Palmeiras i lutet presidentit të mos e shesë Messinhon, thotë se nuk ka parë kurrë këso lojtari

Estevao ende nuk ka shumë përvojë në futbollin e të moshuarve. Ai bëri 17 paraqitje për ekipin e parë të Palmeiras dhe shënoi tre gola.

Në fillim të karrierës së tij ai u krahasua me Lionel Messin, gjë që i dha pseudonimin Messinho, por ai theksoi se preferon të quhet Estevao. /Telegrafi/

Exit mobile version