Telegrafi

Chelsea shumë afër transferimit sensacional të yllit të Real Madridit këtë verë

Chelsea është lidhur me transferimin sensacional të yllit të Real Madridit, që do të ishte i gjashti këtë afat kalimtar veror për “Blutë e Londrës”.

Klubi londinez ashtu siç kanë qenë gjatë këtyre sezoneve të fundit, ka qenë shumë i zënë në këtë afat kalimtar, ani pse nuk kanë shpenzuar shuma të mëdha parash në krahasim me vitet e kaluara.

Transferimi i Tosin Adarabioyo si lojtar i lirë nga Fulhami ishte një lëvizje e mençur teksa Chelsea ka investuar në lojtarë të rinj si Omari Kellyman dhe Renato Veiga.

Trajneri i ri, Enzo Maresca, ka sjellë gjithashtu në ‘Stamford Bridge’ ish-lojtarin e tij tek Leicester City, mesfushroin Kiernan Dewsbury-Hall, i cili u transferua në Londër për 30 milionë euro.

Një pozitë të cilën Chelsea tash e sa kohë po synonte që ta përforconte ishte ajo e portierit, me Djordje Petrovic i cili papritmas ishte bërë zgjedhja e parë e portës sezonin e kaluar.

The Telegraph ka raportuar se përkundër paraqitjeve të mira të Petrovic, Maresca ka vendosur që ta nis me Robert Sanchez si titullar sezonin e ardhshëm, pasi i përshtatet më mirë stilit të tij taktik.

Radioja spanjolle, Radioestadio Noche, ka raportuar që Chelsea është shumë afër transferimit të portierit të Real Madridit, Andriy Lunin, i cili pritet të mbetet në pankinë pas rikthimit të Thibaut Courtois nga lëndimi.

Reprezentuesi ukrainas dhuroi disa ndeshje jashtëzakonisht të mira në mungesë të Courtois, megjithëse ky i fundit luajti nga fillimi në finalen e Ligës së Kampionëve ndaj Dortmundit.

Lunin më pas e humbi pozitën e startuesit edhe tek kombëtarja pas një gabimi që shkaktoi në humbjen me rezultat 3-0 ndaj Rumanisë./Telegrafi/