Telegrafi

Chelsea mposht me lehtësi dhe thellë Sheffield Unitedin

Chelsea ka fituar me rezultat të thellë 4-1 në shtëpi ndaj Sheffield Unitedit në kuadër të javës së tetë në Ligën Premier.

Blutë e Londrës kanë vazhduar serinë pozitive të ndeshje, duke triumfuar me rikthim në Stamford Bridge ndaj Sheffieldit.

Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me lojë më të mirë të vendasve, të cilët shënuan dy gola, kundrejt një të mysafirëve.

Megjithatë, të parët në epërsi kaluan mysafirët me anë të David McGoldrick, i cili shënoi një gol të bukur me thembër për 0-1.

Chelsea u rikthye në lojë në minutën e 23-të duke barazuar 1-1 me anë të Tammy Abraham, ndërsa Ben Chilwell (34’) kaloi ekipin e tij në epërsi 2-1.

Në pjesën e dytë, ekipi i Frank Lampard ishte dukshëm më i mirë duke menaxhuar lojën, krijuar raste dhe shënuar edhe dy gola tjerë.

Në minutën e 77-të ishte Thiago Silva, i cili shënoi golin e tij të parë për Chelsean duke çuar epërsinë në 3-1, ndërsa Timo Werner (80’) shënoi për 4-1 dhe vulosi rezultatin përfundimtar.

Pas kësaj fitore, Chelsea ngjitet në pozitën e tretë me 15 pikë, ndërsa Sheffield United mbetet i fundit me vetëm një pikë.

Në ndeshjen e radhës, Blutë udhëtojnë te Newcastle United, ndërsa Sheffield Unitedi e pret West Hamin. /Telegrafi/