Chelsea me para të pakta ende i detyrohet Interit 71 milionë funte apo 85 milionë euro për nënshkrimin e verës së kaluar me sulmuesin Romelu Lukaku.
Lukaku u kthye në Stamford Bridge për një tarifë me vlerë 95 milionë funtesh apo 115 milionë eurosh verën e kaluar.
Por, sipas Daily Mail, Chelsea planifikoi ta paguante atë shumë në një seri këstesh për 12 muaj.
Ndërsa Blutë refuzuan të komentonin detajet e marrëveshjes, Interi publikoi dokumentet kur u detyruan të ri-financonin borxhet e tyre të mëdha vitin e kaluar.
Këto dokumente tregojnë se klubi italian nuk do të marrë tarifën e plotë të transferimit deri në fund të këtij viti, por nuk do të vijë direkt nga Chelsea.
Marrëveshja për të rikthyer Lukakun në Londër duket se është ndarë në pesë këste me vlerë rreth 20 milionë funte apo rreth 24 milionë eurosh secila.
Chelsea pagoi këstin fillestar, por Interi më pas organizoi një marrëveshje financimi me një institucion financiar të paidentifikuar për të marrë më shumë para dhe me shpejt këstet e prapambetura.
Marrëveshja është praktikë e zakonshme për klubet e futbollit si Interi, të cilët po përballeshin me një krizë financiare verën e kaluar.
Si pjesë e marrëveshjes, Chelsea do t’i paguante më pas këstet e mbetura institucionit financiar në vend të Interit.
Kampionët e Serie A kishin marrë 18.4 milionë funte apo 22 milionë euro nga institucioni financiar deri në shtator 2021, me gati 71 milionë funte apo 85 milionë euro që do të vijnë vitin e ardhshëm. /Telegrafi/