Telegrafi

Charlie Patino, ylli i ri i Arsenalit po monitorohet nga Barcelona

Ai ishte në fushë vetëm për 14 minuta, por zhurma rreth Charlie Patino tashmë është e madhe.

I riu i Arsenalit shënoi vetëm pas disa momenteve në debutimin e tij në Carabao Cup të martën mbrëma, dhe thirrjet e tifozëve të klubit ishin për të.

Të gjithë rreth tij po përpiqen të shuajnë zhurmën – duke përfshirë edhe trajnerin e Gunners , Mikel Arteta – por kur dikush bën një përshtypje të parë të tillë, është e vështirë të shuash entuziazmin.

Veçanërisht kur shënon në ndeshjen e parë.

 

Skauti i akademisë së Arsenalit, Shaun O’Connor e etiketoi atë “lojtarin më të mirë që ka kaluar ndonjëherë nëpër dyert në Hale End”, objekti i të rinjve të klubit.

Patino ka përfaqësuar Anglinë nga niveli U-15 deri në U-19 dhe me aftësinë e jashtëzakonshme, ai mund të bëhet një shtyllë e Arsenalit dhe Anglisë në vitet në vijim.

Tani interesimi për 18-vjeçarin nga Barcelona nuk është sekret, pasi raportohet se klubi është i interesuar ta sjellë të riun në Katalonjë.

Patino ka babain spanjoll, pra ekziston gjithashtu mundësia që mesfushori i zhdërvjellët të luajë për Spanjën në të ardhmen.

Këto shpresa mund të rriten nga fakti që Patino i sheh spanjollët Santi Cazorla, Cesc Fabregas dhe Arteta si idhujt e tij të futbollit.

Me Emile Smith Rowe dhe Bukayo Saka, tani klubi i Arsenalit ka një grup shumë premtues talentesh të rinj anglezë.

Me Artetën që qartazi nuk ka frikë të fusë në lojë të rinjtë, mundësitë e mëtejshme në ekipin e parë duket se do t’i vijnë Patino në vitin 2022. /Telegrafi/