Telegrafi

Challandes thotë se edhe Franca do të kishte probleme me këto mungesa, i krahason yjet e Kosovës me ata francezë

Kosova do të luaj ndaj Çekisë dhe Anglisë pa disa nga lojtarët kryesor.

Yjet si Herolind Shala, Hekuran Kryeziu, Arbër Zeneli, Milot Rashica e Benjamin Kololli nuk do të jenë në dispozicion të trajnerit Bernard Challands.

Të gjithë këta pesë futbollistë janë të lënduar dhe kësisoj do të jenë mungesa të mëdha për Kosovën.

E për këta lojtarë të lënduar ka folur përzgjedhësi Bernard Challandes, që i ka krahasuar me yjet e Francës.

Bernard Challandes (Foto: FFK-Kosova)

Challandes ka bërë krahasim interesant, Rashica – Mbappe, Zeneli – Griezmann, Kryeziu – Pogba, Shala – Kante e Kololli – Hernandez.

“Nuk jam budalla. E di sa vështirë është me këto mungesa. Edhe Franca po të luante pa Mbappen, Griezmannin, Pogban, Kanten e Hernandez as ajo s’do të ishte e njëjtë. I njëjti parim vlen edhe për Kosovën. Na mungojnë pesë lojtarë të përbërjes së parë”, ka thënë ai.

Tutje trajneri i Kosovës, ka thënë se ka gjetur zgjidhje dhe ka vendosur që t’i zëvendësojë lojtarët e lënduar me ata që punojnë shumë në stërvitje.

“Si trajner mund të qaj, të ankohem për mungesat ose të gjej zgjidhje. Sigurisht, kam zgjedhur të gjej zgjidhje. Duhet t’i jap besimin lojtarëve që të punojnë shumë. Mendoj se nuk mund të gjej zgjidhje, duke zëvendësuar lojtarë kokë më kokë. Kemi vetëm një zgjidhje. Është reagim kolektiv. Punë e përbashkët. Duhet të jemi kompaktë, jo vetëm në fushë, por me mentalitetin tonë.

Kosova do të luaj me Çekinë më 7 shtator, ndërsa tri ditë më vonë luan në udhëtim te Anglia. /Telegrafi/