Telegrafi

Çfarë do të thotë ‘mobilizim i pjesshëm’, cilat janë ‘rezervat’ e Rusisë dhe a do të ndikojë në luftën në Ukrainë?

Presidenti rus Vladimir Putin shpalli një “mobilizim të pjesshëm” të mërkurën herët pas shtatë muajve të luftës në Ukrainë nga e cila kanë humbur jetën një numër i konsiderueshëm i forcave të Moskës.

Në një fjalim të regjistruar para kombit, Putin tha se mobilizimi do të fillojë menjëherë për të ndihmuar luftën e Rusisë kundër “Perëndimit kolektiv” në Ukrainë.

Por çfarë do të thotë “mobilizimi i pjesshëm” i Kremlinit? Si do të zbatohet? Dhe a do ta ndihmojë Moskën “të kthejë” humbjet e saj ushtarake?

Çfarë është mobilizimi?

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, ligji rus lejon mobilizimin në rast të agresionit të huaj ose një sulmi ndaj Rusisë – dhe ka të bëjë me përgatitjen e ekonomisë dhe Forcave të Armatosura të Rusisë për luftë. Në veçanti, kjo do të thotë thirrje për rezervat ushtarake të Rusisë.

Kjo është hera e parë që Rusia mobilizohet që nga pushtimi nazist i Bashkimit Sovjetik në vitin 1941.

Ndërsa Rusia e ka përshkruar gjithmonë pushtimin e saj në Ukrainë si një “operacion special ushtarak”, Kremlini nuk ka prezantuar deri më tani asnjë masë të lidhur tradicionalisht me kohën e luftës. Por njoftimi i së mërkurës e ndryshon këtë.

Cilat janë “rezervat ushtarake” të Rusisë?

Në letër, rezerva ushtarake e Rusisë është mbi 2 milionë burra – duke përfshirë ish-rekrutë (shërbimi ushtarak është i detyrueshëm në Rusi), oficerë në pension dhe ata që kanë lënë detyrën aktive.

Rreth 90% e këtyre rezervistëve nuk kanë marrë asnjë formë trajnimi pas shërbimit fillestar në Forcat e Armatosura, që në disa raste mund të ketë qenë disa dekada më parë.

“Rezervistët nuk do të ishin gati për luftë. Gjithçka do të varet nga ajo që kanë bërë dhe sa kohë ka kaluar që kur kanë shërbyer. Këto aftësi atrofizohen me kalimin e kohës nëse nuk i ushtroni ato”, tha Dara Massicot, një eksperte për ushtrinë ruse në institutin amerikan RAND Corporation.

Çfarë është mobilizimi i pjesshëm?

Ndryshe nga një “mobilizim i përgjithshëm” që do t’i lejonte Rusisë të thërriste të gjithë 2 milionë rezervistët e saj, një “mobilizim i pjesshëm” përcakton që thirrjet ushtarake do të kufizohen në grupe të caktuara rezervash, ose në ato nga një zonë e caktuar e vendit.

Kjo ka të ngjarë të thotë se Rusia do të thërrasë rezervat aktive, ata që kanë përfunduar shërbimin e tyre ushtarak kohët e fundit, ose ata me përvojë luftarake.

Kush thirret?

Sipas Putinit, mobilizimi i pjesshëm do të kufizohet vetëm për rezervistët me përvojë përkatëse ushtarake, përcjell Telegrafi.

“Po flasim për mobilizim të pjesshëm. Domethënë, vetëm qytetarët që janë aktualisht në rezervë dhe mbi të gjitha ata që kanë shërbyer në Forcat e Armatosura kanë aftësi ushtarake dhe përvojë përkatëse. Vetëm ata do t’i nënshtrohen rekrutimit”, ka thënë Putin.

Rusia do të thërrasë gjithsej 300,000 rezervistë, tha ministri i Mbrojtjes, Sergei Shoigu në komentet televizive që pasuan fjalimin e Putinit.

Ky është një numër i konsiderueshëm – veçanërisht kur krahasohet me 190,000 ushtarë që Rusia vlerësohet të ketë grumbulluar për pushtimin e saj të Ukrainës në shkurt.

A është e qartë saktësisht se kush do të mobilizohet?

Jo. Vëzhguesit vunë re shpejt se dekreti për mobilizimin e nënshkruar nga Putin të mërkurën i dha Ministrisë së Mbrojtjes shumë më tepër liri veprimi për të rekrutuar burrat “në moshë luftarake” sesa sugjeruan Putini dhe Shoigu.

“Mobilizimi quhet i pjesshëm, por nuk tregohen parametra… as territorial as kategorik”, theksoi analistja politike ruse Yekaterina Schulmann në Telegram.

“Në realitet, Ministria ruse e Mbrojtjes do të vendosë se cilët burra, ku dhe në çfarë sasie të dërgojë në luftë”, shkroi avokati i të drejtave të njeriut Pavel Chikov menjëherë pas njoftimit të Putinit dhe publikimit të dekretit përkatës.

Si do ta zbatojë Rusia mobilizimin e pjesshëm?

Pasi pjesa më e madhe e strukturës rezervë të Rusisë u shpërbë gjatë periudhës së vonë sovjetike, regjistrimi i dhjetëra mijëra burrave në Forcat e Armatosura ka të ngjarë të jetë një proces që kërkon kohë dhe është i ngatërruar, vlerësojnë analistët.

“Rusia nuk është mobilizuar për një kohë vërtet të gjatë”, kujton ekspertja Massicot.

“Në realitet, Ministria ruse e Mbrojtjes do të vendosë se cilët burra, ku dhe në çfarë sasie të dërgojë në luftë”, thotë avokati i të drejtave të njeriut Pavel Chikov menjëherë pas njoftimit të Putinit dhe publikimit të dekretit përkatës.

“Ata do t’i bashkojnë njerëzit dhe do t’i dërgojnë në front me trajnime të vjetra, udhëheqje të dobët, pajisje të mbajtura në një formë edhe më të keqe se ato të forcave aktive dhe do t’i dërgojnë pjesë-pjesë sepse nuk kanë kohë të presin”, shkroi Massicot në Twitter.

Ndërsa avokati i të drejtave të njeriut Çikov tha se shumë nga përgjegjësia politike për sigurimin e mbarëvajtjes së mobilizimit ka të ngjarë t’u kalohet guvernatorëve rajonalë.

“Mekanizmi do të jetë si më poshtë: Ministria e Mbrojtjes do të formojë kuota mobilizimi për çdo rajon të Rusisë. Guvernatorët do të jenë përgjegjës për ekzekutimin e tyre”, mendon ai.

Si do të ndikojë kjo në luftë?

Mobilizimi i rezervave është një proces i gjatë dhe me resurse të shumta, që do të thotë se nuk ka gjasa të ketë ndonjë ndikim të menjëhershëm në fushën e betejës, sipas analistëve.

Edhe kur njësi të tilla të jenë gati, Rusia ka të ngjarë të jetë në gjendje t’i vendosë ato vetëm për të kryer detyra relativisht të thjeshta si mbajtja e pozicioneve mbrojtëse.

Dhe ata nuk kanë gjasa të ndryshojnë shanset e pakta të Rusisë për të marrë të gjithë Donbasin e Ukrainës Lindore – një synim i luftës së Kremlinit – sipas Massicot.

“Në afat të shkurtër, Rusia mund të mobilizojë burrat për një rol të tipit të këmbësorisë, por kjo është për mbështetje, sesa për ofensivë”, tha ajo.

“Unë mendoj se për momentin, për ofensiva as që mund të bëhet fjalë”. /Telegrafi/