Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, sot viziton Stambollin dhe presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan, i cili vazhdimisht ka ofruar të veprojë si ndërmjetësues i paqes midis Rusisë dhe Ukrainës.
Gjatë bisedimeve në Stamboll, pritet që të shtohet presioni ndaj presidentit ukrainas për t’i dhënë fund luftës me Rusinë, ka njoftuar një zyrtar i qeverisë turke në kushte anonimiteti dhe në përputhje me protokollin e qeverisë turke.
Gjithashtu, bisedimet do të fokusohen në një masë të re të mundshme që garanton sigurinë lundruese të anijeve tregtare në Detin e zi, shkruan yahoonews, përcjell Telegrafi.
Vizita vjen pasi Zelensky vazhdon t’i bëjë presion kombeve tjera për ta furnizuar Ukrainën me armatim, dhe për të ndaluar përparimin e trupave ruse drejt Donetskut dhe Kharhkivit.
Ndryshe, menjëherë pas pushtimit rus të Ukrainës në shkurt të vitit 2022 dhe shpërthimit të luftës, Turqia ka pritur në takim ministrat e jashtëm rus dhe ukrainas me shpresën se do t’i japin fund armiqësisë, por pa sukses.
Më vonë në vitin 2022, shteti turk së bashku me Kombet e Bashkuara kanë ndërmjetësuar një marrëveshje midis Rusisë dhe Ukrainës e cila lejonte dërgimin e drithërave përmes Detit të Zi.
Megjithatë, Rusia hoqi dorë nga kjo marrëveshje vitin e kaluar, duke theksuar pengesat e saj në eksportin e ushqimit.
Zelensky pritet që të vizitojë edhe kantieret detare ku kompanitë turke po ndërtojnë dy anije për marinën ukrainase.
Hera e fundit kur presidenti ukrainas ka qenë për vizitë në Turqi ishte korrikun e vitit 2023 kur u kthye në Ukrainë së bashku me një grup komandantësh. /Telegrafi/