Zyra e presidentit ukrainas ka thënë se do të ketë një përpjekje sot për të evakuuar civilët nga uzina e çelikut Azovstal.
Por çfarë po ndodh në fabrikën e çelikut?
Sipas medieve të huaja, përcjell Telegrafi, luftëtarët e fundit ukrainas në Mariupol po mbrojnë ende fabrikën e çelikut Azovstal – një zonë e madhe industriale dhe pjesën e fundit të qytetit jo nën kontrollin rus.
Ata janë të izoluar në një rrjet bunkerësh dhe tunelesh nën uzinë, e cila është mbyllur nga trupat ruse.
Dhe pavarësisht se Putini braktisi javën e kaluar planet për të sulmuar fabrikën pasi shpalli fitoren në Mariupol, zyrtarët e Ukrainës thonë se nuk ka pasur asnjë ndalim në sulmet ajrore.
Cilat grupe luftëtarësh dhe civilësh mbeten atje?
Regjimenti Azov, fillimisht një grup i ekstremit të djathtë që u përfshi më vonë në Gardën Kombëtare të Ukrainës, është ende atje së bashku me brigadën e 36-të të marinës së Ukrainës.
Thuhet se qindra civilë janë ngecur atje, duke përfshirë banorë të moshuar, fëmijë dhe shumë njerëz me aftësi të kufizuara, shumë prej të cilëve kanë nevojë për ilaçe.
Ushqimi dhe uji po mbarojnë dhe familjet kërkojnë që të evakuohen.
Veç kësaj, thuhet se aty janë rreth 600 luftëtarë të plagosur rëndë që kanë nevojë për kujdes urgjent, duke përfshirë operacione të mëdha si amputimet.
Pse nuk janë evakuuar civilët?
Në varësi të asaj që ndodh sot, do të ishte përpjekja e parë për të nxjerrë civilët nga uzina Azovstal.
Presidenti rus Vladimir Putin ra dakord “në parim” në fillim të kësaj jave që OKB-ja dhe Kryqi i Kuq të evakuonin civilët nga fabrika e çelikut Azovstal.
Luftëtarët kanë kërkuar që t’u jepet një kalim i sigurt nga uzina, duke thënë se ata janë në numër dhe po mbarojnë furnizimet.
Por përpjekjet për krijimin e korridoreve humanitare në Mariupol deri më tani kryesisht kanë dështuar, me Ukrainën dhe Rusinë që akuzojnë njëra-tjetrën se kanë vepruar me keqbesim në negociata. /Telegrafi/