Një projekt-ligj masiv i shpenzimeve i nënshkruar në ligj nga presidenti i SHBA-së, Joe Biden parashikon një infuzion prej 13.6 miliardë dollarësh të ndihmës ushtarake dhe humanitare për Ukrainën, ndërsa ajo lufton kundër agresionit rus.
Shuma e parave që përfshin legjislacioni amerikan për Ukrainën u rrit gjatë negociatave të minutës së fundit – nga 10 miliardë dollarë që Shtëpia e Bardhë kishte kërkuar në fillim të muajit në 13.6 miliardë, raporton cnn.
Ndihma për Ukrainën i bashkëngjitet një ligji për ndarjet buxhetore që përcakton kufijtë e shpenzimeve për qeverinë federale për vitin fiskal 2022, i cili filloi në tetor të vitit të kaluar. Ligjvënësit kanë pasur diskutime për projektligjin e ndarjes buxhetore për muaj të tërë dhe kanë miratuar tre projektligje që përfshin edhe funksionimin e qeverisë.
Teksti i projekt-ligjit prej 2,741 faqesh u publikua javën e kaluar dhe Kongresi miratoi legjislacionin përpara afatit të së premtes, duke shmangur edhe mbylljen e qeverisë.
Ndihma ushtarake: Rreth 6.5 miliardë dollarë, afërsisht gjysma e paketës së ndihmës, do t’i shkojnë Departamentit të Mbrojtjes së SHBA-së në mënyrë që të mund të dislokojë trupa në rajon dhe të dërgojë pajisje mbrojtëse në Ukrainë, sipas një përmbledhjeje të projekt-ligjit të ofruar nga Komiteti i Ndarjeve të Dhomës së Përfaqësuesve.
SHBA ka vendosur mijëra trupa në të gjithë Evropën, si para dhe gjatë pushtimit rus të Ukrainës. Por vendosja e trupave në terren në Ukrainë, e cila nuk është anëtare e NATO-s, është një vijë që SHBA dhe aleatët e saj perëndimorë nuk kanë qenë të gatshëm ta kalojnë.
Ndihma humanitare: Më shumë se 4 miliardë dollarë do të ofrojnë mbështetje humanitare për refugjatët që ikin nga Ukraina dhe njerëzit e zhvendosur brenda Ukrainës, si dhe do të ofrojnë ndihmë urgjente ushqimore, kujdes shëndetësor dhe mbështetje urgjente për komunitetet e cenueshme brenda rajonit.
Ndihma ekonomike: Paketa do të sigurojë afro 1.8 miliardë dollarë për të ndihmuar në përgjigjen e nevojave ekonomike në Ukrainë dhe vendet fqinje, të tilla si siguria kibernetike dhe çështjet e energjisë.
Ligji kërkon gjithashtu 25 milionë dollarë për Agjencinë Amerikane për Media Globale, një agjenci federale e pavarur, për të luftuar dezinformimin në transmetimet e lajmeve jashtë vendit. 120 milionë dollarë të tjera do të ndihmojnë në mbështetjen e aktivistëve dhe gazetarëve vendas të Ukrainës dhe do të promovojnë përgjegjësinë për shkeljet e të drejtave të njeriut në Rusi. /Telegrafi/