Site icon Telegrafi

Çfarë ndodhi me 23 lojtarët që u krahasuan me Messin, në listë edhe dy shqiptarë – ‘Messi zviceran’ dhe ‘Messi kosovar’

Një numër i madh i talentëve në fillet e karrierës së tyre krahasohen me superyllin e Barcelonës, Lionel Messi, duke u etiketuar si ‘Messi i ri’.

Dhjetëra lojtarë ndër vite janë krahasuar me argjentinasin e famshëm, duke qenë se ai konsiderohet ndër më të mirët në botë.

Më poshtë jua sjellim listën e futbollistëve që janë krahasuar me sulmuesin e famshëm:

(Foto: The Sun)

Messi anglez – Patrick Roberts

(Foto: Alex Davidson/Getty Images/Guliver)

Shpërtheu në skenë si tinejxher te Fulhami dhe pas paraqitjeve mbresëlënëse, Manchester City shpenzoi 12 milionë funte për të. Mirëpo, nuk arriti të bënte emër te Citizens, ashtu që u huazua te Celticu.

Edhe pse i fitoi gjashtë trofe nën drejtimin e Brendan Rodgers, ai pati probleme të shumta me lëndime dhe nuk i arriti pritshmëritë. Kaloi disa huazime të tjera dhe aktualisht është pjesë e Middlesbrough.

Mini Messi – Fran Kirby

(Foto: Robert Cianflone/Getty Images/Guliver)

Futbollistja angleze është një prej emrave që meriton të jetë në këtë listë. Ajo është pjesë e Chelseat që nga viti 2015 dhe ka fituar tituj të shumtë individualë, duke përfshirë ato për lojtarene vitit.

Messi skocez – Ryan Gauld

(Foto: Tony Marshall/Getty Images/Guliver)

Ishte 17 vjeçar kur debutoi me Dundee United dhe filloi t’i shkatërronte kundërshtarët në Skoci duke i ndihmuar skuadrës që të arrinte në finale të Kupës Skoceze në vitin 2014.

Pasi hyri në listën e ngushtë të Lojtarit të ri të vitit, Sporting Lisbona e bleu kartonin e tij. Mirëpo, te gjiganti portugez regjistroi vetëm dy paraqitje dhe vazhdoi të dërgohej në huazim te skuadra të ndryshme. Aktualisht luan në ligën e dytë të Portugalisë, te Farense.

Messi zviceran – Xherdan Shaqiri

(Foto: Clive Rose/Getty Images/Guliver)

Krahasimet e mesfushorit ofensiv me superyllin argjentinas ishin në fillimet e karrierës së tij, ndërsa më pas shqiptari i famshëm luajti për disa prej klubeve më të mëdha evropiane.

Bayern Munichu, Interi dhe Liverpooli janë klubet e mëdha ku ka luajtur 28-vjeçari, ndërsa mes tjerash e ka fituar kampionatin dhe kupën në Gjermani, si edhe dy herë Ligën e Kampionëve dhe Kupën e Botës për Klube.

Njëherësh, Shaqiri ka shënuar gola në dy Kampionate Botërore dhe në Kampionatin Evropian. Mirëpo, problemet me lëndime ia kanë kufizuar paraqitjet në sezonet e fundit.

Messi egjiptian – Mohamed Salah

(Foto: Michael Regan/Getty Images/Guliver)

Ka pasur momente kur krahasimi i Salahut me Messin dukej diçka e pamundur për t’u imagjinuar, sidomos gjatë kohës së tij te Chelsea.

Mirëpo, pas suksesit te Roma dhe sidomos pas transferimit te Liverpooli, egjiptiani padyshim se është shndërruar në një prej lojtarëve më të mirë në botë.

Natyrisht se ai nuk është në nivelin e Messit, mirëpo është një nga futbollistët që është afër cilësive të tij. Dhe në të ardhmen lojtarët e rinj do të etiketohen si ‘Salahu i ardhshëm’.

Messi katalunas – Gerard Deulofeu

(Foto: Richard Heathcote/Getty Images/Guliver)

Padyshim që ka talent natyral për t’u krahasuar me ikonën. Por, anësori që luan te Watfordi nuk e ka qëndrueshmërinë dhe shkallën e angazhimit të argjentinasit.

Gjatë qëndrimit te Barca, ai nuk arriti të ishte i rëndësishëm, mirëpo në Angli ka qenë i suksesshëm duke arritur në finale të FA Cup në vitin 2019.

Messi gjerman – Marko Marin

(Foto: Srdjan Stevanovic/Getty Images/Guliver)

Arriti te Chelsea në vitin 2012 me një reputacion të madh, mirëpo si shumë talent ëtë Bluve, nuk iu dha rasti në Stamford Bridge.

U huazua katër herë brenda tri sezonesh dhe arriti të regjistronte vetëm gjashtë paraqitje në Ligën Premier me Blutë. Megjithatë, ai ka arritur të fitojë trofe në Greqi, Spanjë dhe Serbi.

Messi kroat – Alen Halilovic

(Foto: Srdjan Stevanovic/Getty Images/Guliver)

Një tjetër talent nga Akademia e Barcelonës, Halilovic posedon teknikë, por ka pasur probleme fizike në futbollin profesionist.

Huazimet te Sporting Gijoni i kanë sjellë paksa sukses. Aktualisht është në pronësi të Milani, ndërsa luan si i huazuar në Holandë te Heerenveen, pasi kishte qëndruar te Standard Liege.

Messi norvegjez – Martin Odegaard

(Foto: Juan Manuel Serrano Arce/Getty Images/Guliver)

Një prej tinejxherëve të pëlqyer në Evropë, Odegaard kaloi nga Stromsgodset te Real Madridi në vitin 2015. Mirëpo, në Santiago Bernabeu dështoi t’i tregonte pritshmëritë dhe u huazua te Heerenveen për dy vite.

Mirëpo, huazimi i këtij sezoni te Real Sociedadi ka bërë që ai të shkëlqejë, prandaj në edicionin e ardhshëm mund t’i jepet mundësia që të jetë pjesë e Los Blancos.

Messi irlandez – Alan Judge

(Foto: Justin Setterfield/Getty Images/Guliver)

Anësori e mori këtë nofkë gjatë kohës sa luante te Brentfordi për pesë sezone (2014-2019) duke i ndihmuar skuadrës që të ngritje në Championship dhe të qëndronte aty, ndërsa ka qenë pjesë e formacioneve më të mira të PFA në vitin 2013 dhe 2016.

Nga viti 2019, futbollisti nga Dublini është pjesë e Ipswich Town, por dështoi t’i ndihmonte skuadrës për të qëndruar në  Championship.

Messi peruan – Raul Ruidiaz

(Foto: Harry How/Getty Images/Guliver)

Në fakt, nofka e tij ishte ‘Messi i vogël’, pasi kishte shënuar shumë gola në Peru dhe Meksikë, para se të transferohej në MLS në vitin 2018.

Sulmuesi ka qenë në formë sensacionale për Seattle Sounders, duke i shënuar 16 gola në 21 ndeshje.

Messi kosovar – Edon Zhegrova

Anësori i Kosovës u bë sensacion në YouTube në vitin 2014 kur si 15 vjeçar mahniste me lëvizjet dhe golat e tij.

Ai e nisi karrierën te Flamurtari dhe pastaj ishte pjesë e Prishtinës, para se të transferohej në Belgjikë te Standard Liege e Sint-Truidense, e gjitha kjo në periudhën si adoleshent.

Karrierën profesionale e nisi te Genku në vitin 2017, ndërsa në vitin 2019 u huazua te Baseli. Në nivel ndërkombëtar, e përfaqëson Kosovën nga viti 2018.

Zhegrova ka zhvilluar disa ndeshje për klubin zviceran, ndërsa pritet të luajë rol më të rëndësishëm në të ardhmen.

Messi indian – Lallianzuala Chhangte

Anësori i Chennaiyin u bë futbollisti më i ri që debutonte për Indinë, kur e zhvilloi ndeshjen e parë për përfaqësuesen në vitin 2015.

Mirëpo, tash si 22 vjeçar, entuziazmi është shuar dhe ai nuk po arrin t’i përmbushë pritshmëritë.

Messi japonez – Takefusa Kubo

(Foto: David Ramos/Getty Images/Guliver)

Vetëm si 18 vjeçar, Kubo i ka mundësitë që ta ngrejë shumë nivelin e tij të lojës. Ish-sulmuesi i FC Tokyo, ka ardhur nga rangjet e Barcelonës, ku ishte yll ndër të rinjtë para se të kthehej në Japoni.

Është lojtari më i ri që ka luajtur dhe ka shënuar në J.League dhe ka luajtur rregullisht për FC Tokyo. Këtë sezon, Kubo u transferua nga Real Madridi dhe pastaj u huazua te Mallorca.

Messi grek – Giannis Fetfatzidis

(Foto: Valerio Pennicino/Getty Images/Guliver)

Anësori i shkurtër asnjëherë nuk i arriti nivelet e pritura pasi erdhi nga rangjet e Olympiacosi.

Që atëherë ka luajtur në Itali dhe Arabinë Saudite, ndërsa pastaj është kthyer në Greqi te Aris.

Messi iranian – Sardar Azmoun

(Foto: Epsilon/Getty Images/Guliver)

Një numër i klubeve evropiane shprehën interesim për të para disa vitesh, duke e përfshirë Arsenalin që ofroi dy milionë funtesh për sulmuesin e shpejtë.

Tash 25 vjeçar, Azmoun është yll në Rusi, ku 11 golat e tij në 13 ndeshje të zhvilluara, i ndihmuan Zenit St Petersburgut që ta fitonte titullin.

Messi indonezian – Egy Maulana Vikri

Vetëm si 19 vjeçar, Egy është në formacionin startues të Indonezisë, ndërsa ka qenë talent i madh në moshë të re.

Në skuadrën përfaqësuese U-19, i ka shënuar 15 gola në 16 ndeshje të zhvilluara, ashtu që ka tërhequr interesimin e klubeve të mëdha evropiane.

Ndërkaq, ai zgjodhi të luante për Lechia Gdansk, ku njëherësh ka lënë përshtypje të mirë me 13 gola në 14 paraqitje në ligën e katërt polake.

Messi meksikan – Diego Lainez

(Foto: Thearon W. Henderson/Getty Images/Guliver)

19-vjeçari e ka potencialin që të bëhet yll i madh dhe vazhdimisht është përmendur si një prej lojtarëve që duhej përcjellë në vitet e ardhshme.

Adoleshenti tashmë është pjesë e përfaqësueses së Meksikës dhe u transferua nga Real Betisi në janar të vitit 2019.

Messi jugkorean – Lee Seung-woo

(Foto: Dean Mouhtaropoulos/Getty Images/Guliver)

Lee konsiderohej si shpresa e madhe e Koresë së Jugut dhe vjen nga Akademia e famshme e Barcelonës, La Masia.

Ai shkoi në Kataluni në vitin 2011, por ia doli të regjistronte vetëm një paraqitje për Barcelona B, para se të shkonte te Hellas Verona në vitin 2017.

Messi malajzian – Faiz Nasir

Ai është një prej lojtarëve më të shkurtë në futboll, vetëm 152 centimetra. Mirëpo, në këmbët e tij ka shumë talent dhe luan për Terengganu FC.

Messi nigerian – Stanley Okoro

(Foto: dailysportsng.com)

I quajtur ‘Messi i vogël’, Okoro ka qenë pjesë e Almerias, në Spanjë, mirëpo dështoi të bënte vend.

Tash është duke luajtur në vendlindjen e tij, ndërsa ka thënë se nuk i pengon kur e thirrin ‘Messi i vogël’, sepse e konsideron gjë të bukur krahasimin me superyllin e Barcelonës.

Mesi tajlandez – Chanathip Songkrasin

(Foto: Pakawich Damrongkiattisak/Getty Images/Guliver)

Songkrasin njihet si ‘Messi Jay’ ose thjesht ‘Jay’, por ai është frymëzuar nga një tjetër argjentinas. Babai i tij e ka stërvitur me qëllimin që ta kopjonte Diego Maradonan. Aktualisht është duke luajtur në Japoni.

Messi jugafrikan – Tebogo Tlolane

(Foto: goal.com)

Anësori ishte krahasuar me argjentinasin për shkak të aftësive të tij dribluese. Ai madje ishte provuar dy javë te Barcelona, por dështoi që t’i bindte drejtuesit e klubit.

Tlolane tash është kthyer në Afrikën e Jugut dhe luan te Maritzburg United, ndërsa është kthyer në mbrojtës të krahut të majtë.

/Telegrafi/

Exit mobile version