SHBA-ja beson se grupi mercenar rus Wagner dëshiron të marrë kontrollin e kripës dhe gipsit nga minierat pranë qytetit ukrainas Bakhmut.
Grupi në hije – i cili u themelua nga aleati i presidentit rus Vladimir Putin, Yevgeny Prigozhin – është përfshirë në luftime të rënda pranë qytetit lindor, transmeton Telegrafi.
Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë tha se ka indikacione se motivet monetare po nxisin “obsesionin” e Rusisë dhe Prigozhinit me Bakhmutin.
SHBA-ja ka akuzuar më parë mercenarët rusë për shfrytëzimin e burimeve natyrore në Republikën e Afrikës Qendrore, Mali, Sudan dhe gjetkë për të ndihmuar në financimin e luftës së Moskës në Ukrainë.
Moska e ka hedhur poshtë këtë si “reagim anti-rus”.
Forcat ruse filluan sulmin e tyre drejt Bakhmutit në gusht, por nuk kanë arritur ta marrin atë deri më tani. /Telegrafi/