Sergio Aguero është diagnostikuar me aritmi kardiake – çrregullim në ritmin e zemrës – pas largimit nga fusha si pasojë e problemeve me frymëmarrje gjatë të shtunës në barazimin e Barcelonës ndaj Deportivo Alavesit.
Sulmuesi argjentinas mbante gjoksin dhe fytin me duar në pamjet shqetësuese, ashtu që u largua pas 40 minutash lojë.
Gazeta spanjolle, Sport, ka raportuar se ekzaminimet mjekësore kanë treguar se Aguero po vuan nga aritmia e zemrës, sëmundje nga e cila ka vuajtur në moshën 12 vjeçare.
Aritmia e kardiake është rrahje e parregullt e zemrës. Problemet me ritmin e zemrës ndodhin kur sinjalet elektrike që koordinojnë rrahjet e zemrës nuk funksionojnë si duhet. Sinjalizimi i gabuar bën që zemra të rrahë shumë shpejt (takikardi), shumë ngadalë (bradikardi) ose në mënyrë të çrregullt.
Aritmitë mund të ndihen si vibrim ose si një zemër që nxiton dhe mund të jenë të padëmshme. Megjithatë, disa aritmi të zemrës mund të shkaktojnë shenja dhe simptoma shqetësuese – ndonjëherë edhe kërcënuese për jetën.
Në disa raste është normale për një person që të ketë ritëm të shpejtë ose të ngadaltë të zemrës. Për shembull, ritmi mund të rritet gjatë aktivitetit fizik ose mund të ngadalësohet gjatë gjumit.
Trajtimi i aritmisë mund të përfshijë barna, procedura të kateterizimit, pajisje të implantuara ose ndërhyrje kirurgjike, për të kontrolluar apo eliminuar rrahjet e shpejta, të ngadalshme apo të çrregullta.
Llojet
Në përgjithësi, aritmitë janë të grupuara duke u bazuar në shpejtësinë e rrahjes së zemrës.
Takikardia – është rrahje e shpejtë e zemrës, ku ritmi i zemrës në pushim është më i lartë se 100 rrahje në minutë.
Bradikardia – është rrahje e ngadalshme e zemrës, ku ritmi i zemrës në pushim është më i ulët se 60 rrahje në minutë.
Simptomat dhe shenjat
Rrahje e shpejtë ose e ngadalshme e zemrës
Kapërcimi i rrahjeve
Marramendje dhe ndjenjë e të fikëtit
Dhimbje në gjoks
Frymëzënie
Djersitje
Faktorët e rrezikut
Sëmundjet e arterieve koronare, problemet tjera të zemrës dhe ndërhyrja kirurgjike në zemër
Shtypja e lartë e gjakut
Sëmundjet e lindura të zemrës
Apnea obstruktive e gjumit
Mosbalancimi i elektroliteve
Barnat e ndryshme
Teprimi me alkool
Kafeina, nikotina dhe abuzimi me droga
Komplikimet
Komplikimet varen nga lloji i aritmisë. Në përgjithësi, komplikimet e rënda nga aritmia e zemrës mund të përfshijë goditjen në tru, vdekjen e papritur dhe pamjaftueshmërinë e zemrës.
Aritmitë janë të shoqëruara me rritje të rrezikut për trombozë të gjakut. Nëse një tromb shkëputet, atëherë mund të udhëtojë nga zemra në tru duke shkaktuar goditje në tru. Prandaj jepen barna që e hollojnë gjakun për të zvogëluar një rrezik të tillë.
Parandalimi
Ndryshimi në mënyrën jetësore mund të zvogëlojë rrezikun e sëmundjeve të zemrës dhe kështu mund t’i parandalojë aritmitë (edhe pse në rastin e futbollistëve, ata iu përmbahen kryesisht mënyrave të shëndetshme jetësore):
Konsumimi i ushqimit të shëndetshëm
Qëndrimi fizikisht aktiv
Mbajtja e peshës së shëndetshme trupore
Mospirja e duhanit
Zvogëlimi ose shmangia e kafeinës dhe alkoolit
Zvogëlimi i stresit dhe zemërimit
Kujdesi me përdorimin e barnave që mund të nxisin aritminë
Mjekimi
Trajtimi i aritmive varet nëse keni takikardi apo bradikardi. Disa aritmi nuk kanë nevojë për trajtim, por thjesht monitorohen përmes kontrolleve mjekësore. Mjekimi është i nevojshëm vetëm në rast rrahjet e çrregullta të zemrës shkaktojë simptoma dhe paraqesin rrezik për komplikime.
Në këtë rast, mjekimi bëhet përmes barnave, terapive, siç janë manovrat vagale, kardioversioni, procedurat me kateter ose intervenimi kirurgjik.
Gjatë ditëve në vijim, Aguero pritet të kryejë ekzaminime të tjera më të thelluara për të mësuar seriozitetin e gjendjes së tij shëndetësore.
Vet lojtari thuhet të jetë i qetë, por edhe i shqetësuar për natyrën misterioze të sëmundjes dhe pasigurinë se sa serioze mund të jetë.
33-vjeçari duhej të priste deri më 12 tetor që të debutonte për Barcelonën për shkak të një problemi muskulor, por duket se shqetësimi i ri është diçka ndryshe. Sipas El Pais, ai kishte pasur aritmi edhe para dhjetë ditësh. Futbollisti vazhdon të jetë nën mbikëqyrje mjekësore. /Telegrafi/