Site icon Telegrafi

Çfarë duhet të dini për bisedën telefonike Trump-Putin?

Presidenti amerikan, Donald Trump dhe homologu rus, Vladimir Putin kanë realizuar një bisedë telefonike, ku raportohet se është rënë dakord për disa gjëra rreth luftës në Ukrainë dhe zhvillimeve botërore.

Dy liderët folën për rreth një orë e gjysmë në një telefonatë. Trump tha përpara telefonatës se ai priste të diskutonte “ndarjen” e “aseteve të caktuara”.

Skynews ka bërë një përmbledhje se çka u morën vesh Trump dhe Putin?

Putin urdhëroi ushtrinë të ndalojë goditjen e infrastrukturës energjetike të Ukrainës për 30 ditë si pjesë e një armëpushimi të kufizuar dhe tha se do të shqyrtonte ndalimin e veprimeve ushtarake në Detin e Zi;

Ukrainasit duhet të bien dakord për këtë – por disa deputetë, gazetarë dhe analistë kanë sugjeruar se është një kërkesë në interes të Putinit, pasi Kievi po dëmton për momentin rafineritë ruse të naftës – dhe dimri pothuajse ka përfunduar, kështu që nevoja për të mbrojtur infrastrukturën e tij është zvogëluar;

Lexo po ashtu Trump: Kemi rënë dakord të lëvizim shpejt drejt 'armëpushimit të plotë' në Ukrainë

Putin përsëriti pretendimet se bisedimet duhet të trajtojnë “shkaqet rrënjësore” të konfliktit – duke përsëritur në thelb vijat e kuqe të Kremlinit në lidhje me anëtarësimin e Ukrainës në NATO dhe armatimin e saj;

Për këtë qëllim, Putin tha se çdo marrëveshje afatgjatë do të kërkonte një ndalim të plotë të ndarjes së inteligjencës dhe ndihmës ushtarake për Ukrainën nga të gjithë partnerët e huaj;

U ra dakord që një shkëmbim i të burgosurve të ndodhë nesër – me 175 robër lufte që kthehen në Ukrainë dhe 175 që kthehen në Rusi;

Rusia do të dorëzojë gjithashtu 23 ushtarë ukrainas të plagosur rëndë;

U ra dakord gjithashtu që negociatat për një armëpushim të plotë të fillojnë “menjëherë” në Lindjen e Mesme;

Trump gjithashtu ofroi që ekipi amerikan i hokejit në akull të luante kundër Rusisë ndërsa ideja u mbështet nga Putin.

Ndryshe, Ukraina kishte rënë dakord javë më parë për një armëpushim 30 ditor me SHBA-në. /Telegrafi/

Exit mobile version