Site icon Telegrafi

Çfarë duan rusët në Avdivka: Një operacion shumë më i gjerë sesa mendohej fillimisht

Trupat ruse kanë sulmuar qytetin Avdivka në Ukrainën lindore për të katërtën ditë, por ushtarët ukrainas vazhdojnë të mbrojnë pozicionet e tyre.

Analistët e Institutit amerikan për Studimin e Luftës (ISW) kanë rishqyrtuar pretendimin e mëparshëm se Avdivka po sulmohej nga forcat lokale me qëllim të shpërqendrimit të forcave ukrainase nga një kundërofensivë në jug të vendit.

Tani ata arritën në përfundimin se rusët po fillonin një sulm në shkallë më të gjerë.

“Lufta po vazhdon për të katërtën ditë. Është e vështirë dhe me të vërtetë pa pushim”, tha kryetari i komunës, Avdivka, Vitaly Barabas. Sipas tij, rusët qëllojnë me gjithçka që kanë dhe kanë dërguar në luftë edhe forcat ajrore.

Sipas tij, nata e kaluar ka qenë “shumë e nxehtë” për shkak të sulmeve të shumta në qytet, pozicionet e ushtarëve ukrainas janë granatuar “disa herë”.

“Sulmet nuk ndalen as ditën as natën, rusët kanë përfshirë shumë automjete të blinduara në luftime, po përforcojnë njësitë e tyre”, tha Barabas.

Furnizimi i qytetit u ndërpre nga granatimet, por ka mjaftueshëm për disa muaj. Gjatë ditës së kaluar një civil ka mbetur i vrarë dhe katër janë plagosur. Ai supozon se ka më shumë viktima nën rrënojat nga granatimet.

Autoritetet po përpiqen të sigurojnë evakuimin e atyre banorëve që duan të largohen. Sipas vlerësimit të Barabas nga e marta, rreth 1600 njerëz ende jetojnë në Avdivka, e cila para pushtimit rus të Ukrainës kishte rreth 30 mijë banorë.

Rritja e numrit të automjeteve të blinduara dhe vendosja e aeroplanëve, së bashku me sulmet e vazhdueshme tokësore, tregojnë një operacion sulmues me rëndësi dhe shtrirje më të madhe sesa vlerësohej më parë ISW, pranuan analistët amerikanë.

Megjithatë, trupat ruse nuk kanë bërë shumë përparim pranë Avdivka deri më tani dhe nuk ka gjasa që së shpejti të jenë në gjendje të rrethojnë forcat ukrainase në qytet.

Trupat ruse deri më tani kanë kapur 4.52 kilometra katrorë në vende të ndryshme rreth Avdivka, vlerëson ISW, duke hedhur poshtë si ekzagjerim pretendimet e disa blogerëve rusë për një përparim të madh. /Telegrafi/

Exit mobile version