Telegrafi

Çdo udhëtim jashtë vendit me 3Z, duhet të raportohet në Kryeministri (Video)

Qeveria e Kosovës duket të ketë marrë seriozisht raportimet për keqpërdorime që bëhen me vetura zyrtare.

Ministria e Punëve të Brendshme bashkë me Policinë do t’i raportojë tash e tutje Zyrës së Kryeministrit në baza javore për veturat që dalin jashtë Kosovës. Nëse ato nuk kanë autorizim dhe dëshmi për të udhëtuar jashtë vendit, në kufi do t’u ndalohet udhëtimi, raporton KTV.

Por, jo të gjitha ato vetura që kanë targat 3Z janë të Qeverisë.

Qeveria është duke shqyrtuar mundësinë që të krijojë edhe një lloj portali për raportimin e keqpërdorimeve me vetura. Gjithashtu, po planifikohet që brenda këtij viti të ndryshohet udhëzimi administrativ për përdorimin e automjeteve të Qeverisë.

Zëdhënës i Qeverisë, Arban Abrashi, që gjithashtu është ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale, si Ministria me numrin më të madh të veturave – 119 – ka arsyetuar këtë numër, transmeton Koha.net. Ai ka thënë se kjo Ministri ka Administratë Pensionale dhe Zyra të Punësimit në gjithë Kosovën, për punën e të cilave duhen shumë vetura.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Administratës Publike, Qeveria e Kosovës ka në posedim 825 vetura.