Telegrafi

Cassano: Ronaldo ka rrezikuar suspendim dyvjeçar me largimin nga stadiumi

Cristiano Ronaldo, Antonio Cassano (Foto: Getty Images/Guliver)

Antonio Cassano thotë se Cristiano Ronaldo ka rrezikuar një suspendim dyvjeçar pas largimit nga stadiumi i Juventusit pa përfunduar ndeshja kundër Milanit.

Superylli i Zonjës së Vjetër reagoi furishëm pas zëvendësimit në minutën e 55-të dhe u nis drejt tunelit, ndërsa mediat kanë raportuar se ai ishte larguar nga stadiumi tri minuta pa përfunduar takimi (në minutën e 87-të të ndeshjes).

34-vjeçari raportohet t’i ketë thënë Maurizio Sarrit, “largohu”, para se të nisej drejt zhveshtores, pas zëvendësimit në ndeshjen e dytë radhazi.

(Foto: Screenshot/Twitter)

Ndërkaq, ish-sulmuesi italian, Cassano, ka thënë se gjërat kanë mundur të shkonin më keq për Ronaldon, pasi edhe vet futbollisti i dikurshëm i Milanit dhe Romës kishte qenë i përfshirë në një situatë të ngjashme, dhe ishte detyruar të kthehej në stadium.

Lexo po ashtu Pranon Sarri: Ronaldo nuk është në formë, do të shqetësohesha nëse nuk do të mërzitej

“A është larguar para përfundimit të ndeshjes? Nuk mund ta bësh atë, sepse është një kontroll anti-doping. Mua më është dashur të kthehem urgjentisht në stadium, për të shmangur suspendimin dyvjeçar”, ka thënë Cassano për emisionin televiziv italian, Tiki-Taka.

Sidoqoftë, nuk ka kurrfarë dyshimi që Ronaldo u largua nga ndeshja për ta shmangur testimin, ndërsa Sarri është përpjekur ta qetësojë situatën duke thënë se futbollisti ka një problem të vogël me lëndim. /Telegrafi/