Antonio Cassano thotë se Cristiano Ronaldo ka rrezikuar një suspendim dyvjeçar pas largimit nga stadiumi i Juventusit pa përfunduar ndeshja kundër Milanit.
Superylli i Zonjës së Vjetër reagoi furishëm pas zëvendësimit në minutën e 55-të dhe u nis drejt tunelit, ndërsa mediat kanë raportuar se ai ishte larguar nga stadiumi tri minuta pa përfunduar takimi (në minutën e 87-të të ndeshjes).
34-vjeçari raportohet t’i ketë thënë Maurizio Sarrit, “largohu”, para se të nisej drejt zhveshtores, pas zëvendësimit në ndeshjen e dytë radhazi.
Ndërkaq, ish-sulmuesi italian, Cassano, ka thënë se gjërat kanë mundur të shkonin më keq për Ronaldon, pasi edhe vet futbollisti i dikurshëm i Milanit dhe Romës kishte qenë i përfshirë në një situatë të ngjashme, dhe ishte detyruar të kthehej në stadium.
“A është larguar para përfundimit të ndeshjes? Nuk mund ta bësh atë, sepse është një kontroll anti-doping. Mua më është dashur të kthehem urgjentisht në stadium, për të shmangur suspendimin dyvjeçar”, ka thënë Cassano për emisionin televiziv italian, Tiki-Taka.
Sidoqoftë, nuk ka kurrfarë dyshimi që Ronaldo u largua nga ndeshja për ta shmangur testimin, ndërsa Sarri është përpjekur ta qetësojë situatën duke thënë se futbollisti ka një problem të vogël me lëndim. /Telegrafi/