Antonio Cassano beson se Marcus Rashford dhe Jadon Sancho janë më të mirë se Rafael Leao, ndërsa kjo gjë nuk e ka shqetësuar yllin e Milanit.
Për më shumë, sulmuesi 23 vjeçar e ka pëlqyer në Twitter komentin e ish-futbollistit italian, i cili gjatë karrierës e ka veshur edhe fanellën e Rossonerëve.
“Ai (Leao) nuk do të ishte startues i rregullt në skuadrat më të mira evropiane. Liverpooli e ka Luis Diazin. Barcelona e ka Ansu Fatin që është vetëm 19 vjeçar. Leao luan në Serie A, jo në një top ligë”.
“Për mua, Sancho dhe Rashford janë më të mirë se Leao, Sancho është fenomenal. Leao është një përzierje e Dembele dhe Martial. Ai nuk vlen 150 milionë euro, nuk i shënon 50 gola në sezon, prandaj nuk e bën dallimin”, ka deklaruar mes tjerash Cassano për Bobo TV.
Mirëpo, kjo gjë nuk e ka shqetësuar yllin e Milanit, i cili madje e ka pëlqyer artikullin në Twitter që raportonte komentet e ish-sulmuesit të Romës, Realit, Milanit e Interit.
Cassano është i njohur për komentet e tij kundërthënëse dhe së fundmi është tallur në lidhje me komentet e tij për Erling Haaland në fillim të sezonit kur thoshte se ai do të kishte probleme nën Pep Guardiolan.
Përkundrazi, sulmuesi norvegjez është duke shkëlqyer dhe i ka realizuar 17 gola në 11 paraqitje në Ligën Premier deri më tani. /Telegrafi/