Shpresat e Liverpoolit për ta mbrojtur titullin e Ligës Premier janë goditur nga lëndimi i Virgil van Dijk, i cili pritet të mungojë në pjesën më të madhe të sezonit.
Qendërmbrojtësi i Redsave u lëndua në derbin lokal ndaj Evertonit (2-2) në Goodison Park dhe tashmë është konfirmuar se e ka lënduar ligamentin kryqëzues të përparmë (ACL), ashtu që do t’i nënshtrohet ndërhyrjes kirurgjike dhe do të mungojë disa muaj.
Mungesa e tij është humbje e madhe si për skuadrën e Jurgen Klopp, ashtu edhe për Holandën, ndërkohë që Jamie Carragher konsideron se tashmë nuk ka favorit për titullin e Ligës Premier.
“Mendoj se pyetja më e madhe që parashtrohet tash është se a mund ta fitojë Liverpooli titullin pa Van Dijkun?”, ka thënë ai për Sky Sports.
“Secila skuadër që synon titullin ka tre ose katër lojtarë për të cilët beson se mund t’ia sjellin titullin, dhe nëse një prej tyre mungon, pavarësisht sa i mirë është trajneri, pa marrë parasysh sa e ke të madh ekipin, nuk mund t’i mbulosh, ata janë të jashtëzakonshëm”.
“Prandaj, mendoj se (mungesa e Van Dijk) e lë shumë të hapur garën për titull. Në fillim të sezonit mendoja se Liverpooli ishte skuadra që duhej mposhtur, ndërsa mungesa e Van Dijk për thuajse gjithë sezonin, mendoj se do të jetë gjithçka e hapur”, ka deklaruar ish-futbollisti i Liverpoolit. /Telegrafi/