Trajneri i Guangzhou Evergrande, Fabio Cannavaro ëndërron një rikthim te Napoli dhe pretendon se Milani bëri gabim që lejoi largimin e Gennaro Gattusos.
Ish-mbrojtësi u largua nga Napoli pas vetëm tre sezoneve me ekipin e parë në San Paolo dhe ai kurrë nuk u kthye si lojtar, por zbuloi se shpreson ta bëjë këtë si trajner.
“Unë fillova si trajner pesë vjet më parë dhe ëndërroj që një ditë të stërvit një ekip të shkëlqyeshëm, Napoli është njëri prej tyre”, ka thënë fillimisht Cannavaro për Sport Mediaset.
“Kam pasur fatin të kem trajnerët më të mirë të 50 viteve të fundit dhe shpresoj të marr me vete diçka nga secili prej tyre”.
“Ditën kur vendos të kthehem në Evropë, shpresoj se do të jem gati. Gjithmonë më ka munguar Napoli, u largova si 21-vjeçar por kam qëndruar shumë afër”.
“Kam jetuar në shumë qytete të botës, por do të përfundoj në Napoli, si një fëmijë që ëndërroja të bëhesha një simbol i ekipit”.
Napoli zëvendësoi Carlo Ancelottin me Gattuson në dhjetor të vitit 2019 dhe Cannavaro ka pohuar se ai tashmë ka treguar pse meriton besimin në San Paolo.
“Milani bëri një gabim, për fat të keq ata nuk e kuptuan atë”.
“Rino është i përgatitur, ai ju jep besim, ai ju bën të luani mirë dhe prandaj meriton besimin e Napolit”, përfundoi legjenda italiane. /Telegrafi/