Antonio Candreva pranon se do të donte të luante në Ligën Premier, por falënderoi trajnerin Luciano Spallettin, i cili e ndihmoi atë të mësonte gjëra të reja në Inter.
Mesfushori italian mbush 31 vjet muaji i ardhshëm dhe ka qenë prej kohësh i lidhur me një lëvizje në Angli.
Candreva është lidhur me tri skuadrat e mëdha angleze, Chelsea, Manchester United dhe Arsenal, ku shumë herë thuhet se kalimi ka qenë afër.
Është vet Candreva, i cili ka folur me elozhe për kampionatin anglez, në të cilin do të donte të luante.
“Më pëlqen shumë Liga Premier, pasi është një garë e jashtëzakonshme. Do të doja të luaja në Ligën Premier”, ka thënë Candreva për revistën Calcio 2000.
“Serie A po tregon këtë sezon jo vetëm që është gjithmonë një ligë e vështirë, por edhe tani ka disa ndeshje shumë zbavitëse”.
“Unë mendoj se ekipet italiane po përmirësohen dhe mund të bëjnë mirë edhe në Evropë”.
“Spalletti është një trajner në një nivel të shkëlqyeshëm. Jam shumë i lumtur që po punoj me të në këtë periudhë të karrierës sime. Falë tij, po përmirësohem shumë”.
“Ai punon shumë në përqendrim, motivim dhe konsistencë. Ai është shumë i përpiktë dhe ju gjithmonë mësoni diçka të re me Spalletin”, përfundoi italiani. /Telegrafi/