Hakan Calhanoglu është duke i kaluar muajt e fundit si futbollist i gjigantit italian Milan.
Mesfushori turk është futur në vitin e fundit të kontratës dhe ende nuk ka pranuar rinovimin me Milanin, gjë që e bën atë lojtar të lirë në fund të sezonit.
Rossonerët ende janë duke shpresuar në vazhdimin e bashkëpunimit me lojtarin, por marrëveshja mes palëve duket larg.
Kampioni në fuqi i Italisë, Juventus prej kohësh po monitoron situatën e lojtarit, por e ardhmja e Calhanoglus mund të jetë në Angli.
Dy skuadrat e mëdha angleze, Chelsea dhe Arsenal gjithashtu janë në garë për të nënshkruar me mesfushorin ofensivë.
Mediat në Angli dhe Itali kanë raportuar se dy ekipet londineze duken në avantazh përballë Juventusit, për faktin se janë gati t’i ofrojnë kontratë më të mirë financiare Calhanoglus.
27-vjeçari ka bërë një sezon shumë të mirë me Rossonerët, ku në 34 ndeshje zyrtare ka shënuar shtatë gola dhe ka bërë 11 asistime.
Agjentët e lojtarit i kanë bërë me dije Milanit se për të rinovuar, turku kërkon shtatë milionë euro pagë vjetore, shumë që Rossonerët e Zonja e Vjetër nuk mund t’ia ofrojnë, por në anën tjetër Chelsea e Arsenal janë gati t’i përmbushin këto kërkesa për të nënshkruar me lojtarin. /Telegrafi/