Telegrafi

Cakolli i KDI-së komenton konventën e Partisë Guxo: Legjislacioni në Kosovë nuk njeh mundësinë e “bashkë-kryesimit” të partive

Eugen Cakolli

Delegatët në Kuvendin e sotëm zgjedhor të Guxo kanë zgjedhur për drejtues të rinj të kësaj partie ministrin e Bujqësisë Faton Peci dhe shefen e diplomacisë kosovare Donika Gërvallën.

Mirëpo sipas hulumtuesit nga KDI, Eugen Cakolli, Guxo e filloi me shkelje të legjislacionit punën e saj.

“Sado që mund të duket zgjidhje kreative, legjislacioni zgjedhor në Kosovë nuk e njeh mundësinë e “bashkë-kryesimit” të partive. Ligji për Zgjedhjet dhe Rregulla Zgjedhore 01/2013 përcaktojnë qartazi që partitë politike kanë ‘kryetar’, e jo ‘kryetarË’”, deklaroi Cakolli.

Ai thotë se me këtë statut me dy bashkë-kryetar Guxo së paku nuk do të mund të nënshkruaj dokumente zyrtare dhe dokumente me përgjegjësi ligjore.

Lexo po ashtu Faton Peci dhe Donika Gërvalla zgjidhen bashkëkryetarë të Partisë Guxo

“Rrjedhimisht, statutet e partive duhet t’i përcaktojnë procedurat për zgjedhjen e vetëm një kryetari. Ndryshe, nuk do të mund të zbatohen obligimet për funksionim të rregullt që ka partia politike, respektivisht kryetari/ja e saj – si instancë kryesore për, minimalisht, nënshkrimin e dokumenteve zyrtare dhe përgjegjësisë ligjore”.

Ai thotë se KQZ-ja nuk do të duhet ta pranonte një Kuvend të tillë.

“Prandaj, Zyra do të duhej t’i propozonte KQZ-së mosnjohjen e këtij Kuvendi dhe vendimmarrjes së partisë “Guxo” lidhur me këtë çështje, si dhe t’a obligojë atë që t’a harmonizojë statutin e partisë me kornizën ligjore”, ka shkruar Cakolli./Telegrafi/