Delegatët në Kuvendin e sotëm zgjedhor të Guxo kanë zgjedhur për drejtues të rinj të kësaj partie ministrin e Bujqësisë Faton Peci dhe shefen e diplomacisë kosovare Donika Gërvallën.
Mirëpo sipas hulumtuesit nga KDI, Eugen Cakolli, Guxo e filloi me shkelje të legjislacionit punën e saj.
“Sado që mund të duket zgjidhje kreative, legjislacioni zgjedhor në Kosovë nuk e njeh mundësinë e “bashkë-kryesimit” të partive. Ligji për Zgjedhjet dhe Rregulla Zgjedhore 01/2013 përcaktojnë qartazi që partitë politike kanë ‘kryetar’, e jo ‘kryetarË’”, deklaroi Cakolli.
Ai thotë se me këtë statut me dy bashkë-kryetar Guxo së paku nuk do të mund të nënshkruaj dokumente zyrtare dhe dokumente me përgjegjësi ligjore.
“Rrjedhimisht, statutet e partive duhet t’i përcaktojnë procedurat për zgjedhjen e vetëm një kryetari. Ndryshe, nuk do të mund të zbatohen obligimet për funksionim të rregullt që ka partia politike, respektivisht kryetari/ja e saj – si instancë kryesore për, minimalisht, nënshkrimin e dokumenteve zyrtare dhe përgjegjësisë ligjore”.
Ai thotë se KQZ-ja nuk do të duhet ta pranonte një Kuvend të tillë.
“Prandaj, Zyra do të duhej t’i propozonte KQZ-së mosnjohjen e këtij Kuvendi dhe vendimmarrjes së partisë “Guxo” lidhur me këtë çështje, si dhe t’a obligojë atë që t’a harmonizojë statutin e partisë me kornizën ligjore”, ka shkruar Cakolli./Telegrafi/