Telegrafi

Cakaj: Nuk dështuam, gjithçka lidhet me divergjencat në zemër të BE-së

Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme Gent Cakaj, ka argumentuar në një komunikim publik me gazetarët përfundimet e Këshillit Evropian lidhur me mos çeljen e negociatave.  

Në konferencën për shtyp të mbajtur në Ministrinë Për Evropën dhe Punët e Jashtme, Cakaj nënvizoj qartazi se vendimi  i BE-së për mos çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut nuk lidhet me mos plotësimin e kushteve të vendosura për dy vendet porse lidhet me situatën politike në të cilën BE ndodhet sot.

“Shqipëria ashtu siç dhe Maqedonia u trajtuan njëlloj për shkak se dyja vendet kanë plotësuar kushtet e nevojshme për çeljen e negociatave, ndaj shtyrja e vendimit nuk ka të bëjë me plotësimin e kushteve nga dy vendet por lidhet me faktorë të tjerë rrethanor që lidhen drejtpërsëdrejti me reformimin e Bashkimit Evropian.”- tha në fjalën e tij Ministri Cakaj.

Sipas tij, nëse e ardhmja e BE  është në pikëpyetje, Shqipëria nuk mund të ofrojë një përgjigje.

Lexo po ashtu Zaev i dëshpëruar me Evropën, kërkon zgjedhje të reja

“Bashkimi Evropian, do t’i nënshtrohet një reformimi të vetvetes, në aspektin e tij të brendshëm funksional dhe institucional”- nënvizoj ai ndërkohë që u shpreh se Shqipëria i ka plotësuar kushtet në thellimin e rezultateve të vetingut, ngritjen e trupave gjyqësore si dhe luftën kundër krimit t ë organizuar dhe korrupsionit.

Ndërkohë ai konfirmoi zotimin e tij personal dhe institucional se procesi i integrimit  është i pakthyeshëm.

“Shqipëria  është model shembullor i reformave në rajon, duke u angazhuar aktivisht  të jetësojë Evropën dhe idealet e saj në Shqipëri”- përfundoj fjalën e tij ministri Cakaj

Por këtë qëndrim të Zaevit është përpjekur ta përgënjeshtrojë ministri i Jashtëm në detyrë i Shqipërisë, Cakaj, i cili theksoi se diskutimet për zgjedhje të parakohshme në vendin fqinj janë të hershme dhe nuk lidhen me vendimin e Këshillit Evropian.

“Diskutimi për zgjedhjet e parakohshme në Maqedoninë e Veriut është më i hershëm se dje. Nuk mund t’i ndërlidhni proceset. Ky diskutim nuk ka ardhur si pasojë e vendimit të Këshillit”, theksoi Cakaj përpara gazetarëve.

Cakaj deklaroi gjithashtu se “në Maqedoninë e Veriut ka patur zotime se ky proces (hapja e negociatave) do të ndodhë në mënyrë të pashmangshme”, ndërsa Qeveria shqiptare nuk dha garanci për procesin.